Paqja nuk vjen nga mungesa e problemeve, por nga prezenca e Zotit—Autori i panjohur

Lëre paqen e Zotit të mbretërojë në zemrat tuaja.—Kolosianët 3:15

Që paqja të mbizotërojë në zemrën tënde mund të duket e pamundur, sidomos kur mendja po të sillet vërdallë nga stresi i jetës së përditshme. Megjithatë kjo paqe na është premtuar nga Jezusi kur na tha: “Paqen po ju lë, paqen Time po jua jap…. Mos e lejoni zemrën tuaj të shqetësohet dhe as të frikësohet.” 1

Të kemi Zotin gjithmonë në mendje është një tjetër mënyrë për të thënë se duhet t’i japim Atij një rol të madh në jetën tonë të përditshme, gjë të cilën e bëjmë duke pranuar praninë dhe pushtetin e Tij dhe duke kërkuar këshilla dhe ndihmë nga Ai për çështje të mëdha dhe të vogla. Danieli, historia e të cilit tregohet në librin me të njëjtin titull në Testamentin e Vjetër, kishte një marrëdhënie të tillë me Zotin, të cilës ia pa frytet kur u përball me një sfidë që i bën sfidat tona të duken si asgjë.

Danielin e kishin zënë rob në moshë të re, kur Babilonasit pushtuan fisin e Judejve, por me kalimin e viteve ai u ngrit në pozitë duke patur pushtet dhe influencë në oborrin mbretëror të Babilonisë. Pastaj, kur Medët rrëzuan Babilonasit, Danieli u bë administrator i lartë gjatë mbretërimit të Mbretit Darius.

Politika gjithmonë ka qenë e mbushur me rivalitet dhe intriga dhe kjo periudhë nuk kishte ndryshim; dy shokë të Danielit, që ishin pjesë e qeverisë së atëhershme u bënë xhelozë dhe komplotuan kundër tij. Ata e bindën Dariusin të dekretonte kufizime mbi lutjen dhe adhurimin, duke dhënë dënimin me vdekje për ata që nuk bindeshin. Por përkushtimi i madh ndaj Zotit e shtyu Danielin të mos i bindej dekretit. Darius kishte simpati për Danielin dhe e kuptoi se e kishin manipuluar, por ai nuk mund ta ndryshonte e as ta shpërfillte dekretin e tij. Kur Danielin e hodhën në një strofull luanësh të uritur, u duk sikur do të ishte fundi për të, por mëngjesin e nesërm ai doli nga strofulla pa as edhe një gërvishtje. 2

Kur e mbajmë shikimin tek Zoti i mbijetojmë fatkeqësive të jetës; besimi, paqja e zemrës dhe e mendjes mbeten të pacënuara.

Ndiqni rrugën e paqes: Kur zgjoheni, lutuni për ditën që keni para; ndaluni dhe lutuni kur gjërat tensionohen, kur duhet të merrni një vendim apo kur shfaqet një problem; qetësohuni për pak minuta reflektim në mbrëmje—këto janë të gjitha momente ideale për të gjetur paqe në prani të Zotit.

Paqja e Zotit, e cila ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.–Filipianët 4:7

  1. Gjoni 14:27
  2. Shiko Danieli Kapitulli 6