Më pëlqen shumë Psalmi i 23-të. Ndoshta ngaqë më pëlqejnë vargjet rreth qetësisë, bukurisë dhe momenteve paqësore: “Ai më çon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin. Ai më prin shtigjeve të drejta, në sajë të dashurisë së emrit të Tij.” 1

Po mendoja për këtë psalm dhe kutpova se është paksa si një fotografi e jetës. Në atë kapitull të shkurtër, prej vetëm gjashtë vargjesh, shikon një pasqyrë të cikleve të jetës — shkëlqimet dhe rëniet, kohërat e mira dhe të këqija, momente paqeje dhe kaosi. Megjithatë, një gjë ekziston gjithmonë: prania e Zotit. E vërteta e përhershme dhe e pandryshueshme: “Zoti është bariu im; asgjë nuk më mungon.” 2

Jam një qënie që e dua rehatinë dhe jetoj të përditshmen. Më pëlqejnë momentet kur pushoj në kullotat e gjelbra dhe pi nga ujërat çlodhëse — ato momente ku çdo gjë shkon më së miri, kur shoh dhe ndjej bekimet e Zotit, kur çdo gjë ecën ngadalë dhe pa u ndalur.

Zakonisht praninë e Zotit e ndjej më shumë gjatë momenteve paqësore dhe në kushte bollëku. Nuk kam nevojë për gjë dhe ndihem shumë e sigurt që Ai është aty dhe me mua. Nuk kemi nevojë të na e kujtojnë praninë e Zotit gjatë momenteve të tilla, sepse ne e ndjejmë atë — jemi në kullotat e gjelbra dhe pranë ujërave që të çlodhin.

Ndonjëherë, gjërat ngatërrohen dhe nuk shkojnë sipas planit – “shtigjet e errëta” të jetës – dhe më duket sikur Ai nuk është me mua. Mbreti David i njihte mirë vështirësitë, ndoshta për këtë arsye i rikujton vetes praninë e Zotit në vargun e katërt: ”Po, edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja; sepse Ti je me mua; thupra dhe kërraba Jote, për mua janë ngushëllim.” 3

Zoti është me ne, Ai na ngushëllon edhe nëse ne nuk e ndjejmë aq shumë praninë e Tij. Ai është aty, edhe nëse lugina e errët e udhëtimit tonë është pak më e gjatë (ose ndoshta shumë më e gjatë) nga sa kishim menduar.

Po kaloj në një luginë të errët tani. Fatkeqësisht, nuk kam durim. Dua që sfida të mbarojë shpejt. Dua që Zoti të më japë menjëherë atë që dua. Dua të lëviz nga “lugina e errët” në “kullotën e gjelbër” sa më parë të jetë e mundur — dhe kur të arrij atje, e di që do të kërkoj që ajo pjesë e jetës të më zgjasë sa më shumë të jetë e mundur e të mos ndërpritet nga një tjetër luginë e errët.

Lexova një citat sot në mëngjes që shprehte qartë prirjen time, por dhe që më kujtoi se plani i Zotit është shumë më i madh dhe më i mirë se imi. Ndonjëherë dua që Ai t’i bëjë gjërat menjëherë, por Atij i duhet pak më shumë kohë t’i japë çdo gjëje vendin e vet, sipas planit të Tij. Ky është citati:

“Zotit i pëlqejnë surprizat. Neve na pëlqen ta kemi jetën të thjeshtë, ta parashikojmë lehtësisht sa më shumë të mundemi – por Zotit i pëlqen të devijojë. Ai na vë para vështirësive që sfidojnë durimin dhe inteligjencën tonë. Nëpërmjet dashurisë dhe mirësisë së Tij, ne ia dalim. Sfidat që na përziejnë stomakun na forcojnë besimin dhe na bëjnë më të mençur e më të lumtur, gjë që s’mund ta provonim pa to.” 4

Do të doja që t’i vinte fundi kësaj përzierjeje së stomakut, por prapë më pëlqen të mendoj se Zotit i pëlqen ky rrugëtim. Jam e sigurt që ai do veprojë për të mirën time.

Ndërkohë, uroj të marr gjithçka që Ai ka përgatitur për mua para se të mbarojë ky udhëtim i vështirë dhe të gjendem sërish në kullotat e gjelbra. Thjesht duhet të jem i durueshëm dhe të pres kohën e Tij.

Një tjetër premtim i preferuar imi është, “As nuk është parë, as nuk është dëgjuar e as është ndjerë në zemrën e njeriut ajo që Zoti ka përgatitur për ata që e duan atë.” 5. Unë e di që ai varg flet për atë çka Zoti ka përgatitur për ne në parajsë, por dua ta deklaroj edhe për gjërat që Ai ka përgatitur për mua këtu, në tokë. Përderisa e dua dhe më do, jam e sigurt që Ai ka përgatitur gjëra të mira.

  1. Psalmi 23:2-3
  2. Psalmi 23:1
  3. Psalmi 23:4
  4. Tony Snow, “Të Mirat e Papritura të Kancerit,” Kristianizmi Sot, 20 Korrik, 2007
  5. 1 Korintasve 2:9