Duke lidhur rripin dhe duke kontrolluar paisjet që cdo gjë të ishte në rregull, mbajta frerët fort me dorë. Krijesa me krahë u anua, u lëkund dhe u përdrodh që të çlirohej nga pengesat dhe të më ngrinte drejt humnerës. Personat që kujdeseshin për mua, një në secilën anë, ia dolën të përmbanin tërbimin e saj, por iu deshën të përdornin gjithë aftësitë e tyre që të mos më fshinte nga sipërfaqja e tokës e të më çonte lart në strofkën e saj.

Zëri që erdhi papritur nga radioja më riktheu në realitet. “Duart mbrapa me pëllëmbët nga jashtë, përkulu, shiko përpara … gati për nisje!” Ishte Avi, instruktori ynë; udhëheqësi i cili kujdesej që të mësonim si të sfidonim gravitetin dhe të ngjiteshim në ajër, dhe mbi të gjitha, si të zbrisnim të sigurt në tokë. “Nisja është fakultative, por zbritja jo”- përsëriste ai shpesh. E binda veten se ishte çdo gjë në rregull, duke rikujtuar udhëzimet e regjistruara me përpikmëri në mendjen time.

Ishte fundi i kursit tonë të hedhjes me parashutë. Gjithë teoria që kishim mësuar mbi ngritjen, tërheqjen dhe rënien, do të dukej e pakuptimtë nëse nuk do të kisha provuar të hidhesha nga ajo kodër. Vetëm ruaj qetësinë dhe ndiq udhëzimet! Përsërisja si mantra.

Ndërsa rrija gati për t’u nisur, një shqiponjë fluturonte lehtësisht lart duke bërë lëvizje në formë rrethi. Kur arriti një rrymë termike pothuajse nuk i lëvizte fare krahët. M’u kujtua një varg, “Ata do të fluturojnë lart dhe do të marrin krahë si shqiponja.” 1

Një zë u dëgjua nga radioja. “Jeni gati?”

Pohova me kokë dhe mora frymë thellë, duke u përpjekur të mos më kapte paniku. Çfarë na kishte thënë Avi? “Paniku ështe hapi para aksidentit. Kur të kap paniku, ti nis e vepron pa vetdije dhe bën gabime.”

Me duart mbrapa, parashuta ime kapi erën, u fry dhe më tërhoqi lart. U përkula përpara dhe pashë lart. Tani, isha e bindur që s’kishte kthim mbrapa. E dija që hapi tjetër ishte të vazhdoja. Ashtu si në jetë, nëse nuk kemi energji për të ecur drejt objektivit tonë, rrethanat do veprojnë kundër nesh. Nëse humbja shpejtësinë, parashuta do të vazhdonte udhëtimin e saj duke humbur drejtimin. Duhet t’i tregoja se çfarë doja që të bënte. Fluturo! Më zbrit pa probleme në tokë!

“Jepi!”

Vetëm dy hapa dhe u ngjita lart. Ishte më e lehtë nga sa e kisha menduar. Ishte më e ngjashme me të bërit ski se sa me pilotimin e një avioni. Po fluturoja lart, duke shijuar pamjet madhështore të maleve blu që lartoheshin mbi një liqen të pastër. Tërhoqa lehtë frenat për t’u kthyer djathtas. M’u bind. Pastaj majtas dhe djathtas sërish dhe pastaj drejt uljes për në tokë. — Jo aq lehtë sa e kisha menduar, por as edhe shumë e vështirë si për herë të parë.

Fillova të kritikoj veten për zbritjen dhe po i thosha Avit se herën tjetër do ta bëja më mirë. “Mos ji kaq i ashpër me veten,” – tha ai. “Të gjitha zbritjet e sigurta quhen të suksesshme.”

Të gjithë duartrokitën. Edhe unë. Tani, si një “grup vëllezërish” brohorisnim për çdo person që ulej në tokë, sepse të gjithë u ballafaquam me frikën dhe fituam.

Pasi shijuam këtë moment bëra një bisedë me instruktorët tanë, themeluesit e një shkolle që ofronte trajnime për hedhje me parashutë, në Indi.

Avi, instruktori kryesor dhe bashkëshortja e tij, Anita, kishin hequr dorë të dy nga puna e tyre në një firmë të rëndësishme dhe me pagë të mirë për të ndjekur këtë ëndërr dhe në fillim nuk kishte qenë e lehtë. E pyeta Anitën se cilët ishin sipas mendimit të saj, faktorët kryesorë që kishin çuar drejt suksesit përpjekjet e tyre.

“I dogjëm të gjitha alternativat e tjera. Dështimi nuk ekzistonte si variant. Ishte jetë ose vdekje, dhe sigurisht që vdekja nuk na interesonte.”

Punuan fort për shumë vite, duke udhëtuar për të bërë prezantime nëpër koorporata e kudo që mund të linim një takim. Në fillim e provuan disa njerëz guximtarë, më pas lajmi u përhap dhe tani fluturojnë thuajse çdo ditë.

Zbulova se këta sipërmarrës përveç të bërit biznes, kishin dhe anën shpirtërore të fluturimit. Ishte më tepër se thjesht adrenalinë apo një biznes me risqe. Ishte një fluturim i brendshëm për ta dhe donin t’a ndanin me të tjerët.

“Hedhja me parashutë është si jeta” — më tha Avi. “Duhet të kapërcejmë vështirësitë dhe të përballemi me sfidat. Edhe pse mund të na ofrohet ndihmë nga të tjerët, në fund duhet të provojmë vetë. Duhet të mposhtim frikën, të largojmë dyshimet dhe të fluturojmë!”

  1. Isaia 40:31