Hebrenjtë 13;2 thonë, “Mos harroni të tregoheni mikpritës me të panjohurit, sepse, pa kuptuar, mund t’i keni ofruar mikpritjen engjëjve.”

I kam ditur këto vargje që kur isha fëmijë, dhe më kujtohet kur i imagjinoja njerëzit që takoja, si engjëj të fshehur. Kjo gjë më bënte të isha e sjellshme dhe miqësore në shumicën e rasteve. Por fatkeqësisht, duke u rritur bëhesha gjithmonë e më e ashpër me njerëzit duke i mbajtur sa më larg vetes.

Kur isha 17 vjeçe, pata një takim interesant që më rikujtoi këto vargje dhe të tjera lidhur me mirësjelljen. Familja ime jetonte në Taivan në atë kohë, dhe unë kisha lënë një takim për një vizitë në spital. E kisha lënë të takohesha atje me tim atë, që të më ndihmonte në përkthim, pasi nuk e zotëroja mirë gjuhën kineze për të kuptuar termat mjekësore. Mirëpo, ai po vonohej dhe duhet t’ia dilja vetë, gjë që ishte shumë e frikshme për mua.

Ndërsa përpiqesha me vështirësi të plotësoja një formular i gjithë në gjuhën kineze, një djalë i ri, i cili fliste anglisht rrjedhshëm, m’u afrua dhe më pyeti nëse kisha nevojë për ndihmë. Isha e acaruar dhe në tension ndaj u solla pak ashpër dhe ftohtë por në fakt kisha vërtetë nevojë për ndihmë, ndaj pranova, por pa mirësjellje.

Pas plotësimit të formularëve, djaloshi më ndihmoi të gjeja katin dhe sallën ku duhet të prisja për takimin. Me t’u larguar ai, nxorra një psherëtimë lehtësuese dhe telefonova tim atë për t’i treguar se ku ndodhesha, por ai s’kishte arritur edhe kur më thirrën emrin. Hyra në zyrën e mjekut dhe e pyeta nëse fliste anglisht, por nuk fliste.

Akoma më e irrituar, u bëra gati të largohem, kur hyri po ai djalë i ri dhe tha se do të përkthente për mua. E dija që duhej t’i isha mirënjohëse, por nuk mundja ta fshihja zemërimin që kishte të bënte me gjithë situatën.

Më në fund, mbaroi dhe takimi. “Më mirë të qëndroj me ju derisa të vijë babai juaj, në rast se do t’ju duhet ndihma ime sërish,” tha djaloshi ndërsa dilnim nga zyra. Në vend që të përfshihesha në bisedë, kryqëzova krahët dhe po mendohesha në heshtje.

Kur babi mbërriti, ai dhe djaloshi i ri nisën të bisedonin dhe kur erdhi koha për t’u larguar, ata shtrënguan duart. Edhe unë e zgjata dorën, por djali u zmbraps dhe ngriti duart. “Jo,jo, m’u bë qejfi që të ndihmova,” tha ai.

Gjatë rrugës për shtëpi, u pendova për sjelljen time. Pse u tregova aq e paedukatë me të? Nuk ishte faji i tij që im atë nuk ndodhej aty për të më ndihmuar, dhe ai u tregua shumë miqësor që erdhi dhe më ndihmoi. Po mendoja se nëse do të kishte qenë engjëll, pa dyshim që  dështova t’i ofroja mikpritje nga ana ime. Gjatë ditëve që pasuan, mendova shumë për atë takim – jo shumë për të kuptuar nëse ishte engjëll apo jo, por më tepër për mënyrën se si i trajtoja njerëzit.

Pra nuk kishte rëndësi nëse ai djalë ishte engjëll apo jo. Kjo ngjarje më shtyu të kujtohem se sa e rëndësishme është t’i trajtosh njerëzit me mirësjellje dhe respekt, pavarësisht se kush janë apo se si ndihemi. Dikush u përpoq shumë që t’më ndihmonte, dhe ia shpërbleva duke u sjellë ftohtë dhe me mospërfillje. Nuk e pyeta as se si quhej.

Çfarë do t’më kishte kushtuar të tregosha e sjellshme dhe mirënjohëse ndaj tij, ashtu siç do të kishte bërë Jezusi? Me siguri, nje copë nga krenaria ime.

Uroja ta takoja sërish atë njeri, që të mund t’i kërkoja ndjesë dhe t’i thoja sa keq ndihesha për mënyrën se si isha sjellë me të; por jo gjithmonë na jepet një mundësi e dytë, ashtu siç nuk m’u dha as mua. Ajo që mund të bëja, ishte ta ktheja atë eksperiencë në një mësim për veten që të sillesha më mirë herën tjetër më një tjetër person, në një situatë tjetër.

Edhe nëse të tjerët janë të pasjellshëm apo pa edukatë, ndryshe nga rasti në fjalë, Fjala e Zotit na mëson të “vishemi me dhembshuri, mirësi, përulësi, butësi dhe durim” 1 në marrëdhënie me ta. Dashamirësia jonë ndaj të tjerëve nuk duhet të varet nga mënyra se si ata na trajtojnë ne.

Që atëherë, kam ndalur së kërkuari engjëj të fshehur (edhe pse do të ishte bukur të mendoja që e kam takuar njërin!) dhe jam përpjekur të ndjek shembullin e Jezusit për të qenë gati të bëj mirë, duke mos përgojuar asnjë, duke qenë paqësore dhe e vëmendshme, dhe gjithmonë e sjellshme me të gjithë 2 qofshin engjëj ose jo.

  1. Kolosianëve 3:12
  2. Shih Titi 3:1-2