“Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.” 1 Herën e parë kur dëgjova atë varg biblik, më dhembi zemra dhe u ndjeva shumë e turpëruar. Pse? Sepse e dija se kishte njerëz që nuk i kisha falur. Megjithatë, doja me të vërtetë që Zoti të më falte për gjërat që kisha bërë, që lëndonin dikë tjetër.

Nuk dua që Zoti të më falë ashtu siç unë i kam falur të tjerët, sepse e dija se unë nuk i kisha falur ata! Por unë doja që Zoti të më falte, sepse Ai është i mëshirshëm, sepse kisha nevojë me të vërtetë për faljen e Tij, dhe sepse më vinte keq për atë që kisha bërë. Por ndjeva se të tjerët nuk ndiheshin keq për atë që kishin bërë. Pra, nuk ishte e drejtë! Ose të paktën, kështu mendova.

Me parehati në trup dhe në zemrën time, i thashë Zotit me lutje që e ndjeja se nuk ishte e drejtë. Pastaj Ai foli me zemrën time dhe tha, Nuk ishte e drejtë as ajo që ata bënë Mua, duke iu referuar vdekjes së Tij në kryq.

Më vjen shumë keq për këtë, iu përgjigja. Por Ti je Zoti dhe Mund të bësh të pamundurën. Unë jam thjesht një grua e dobët që bëj marrëzira ndonjëherë.

E po, të krijova me imazhin dhe ngjashmërinë time, apo jo? Pra, ti ke ç’të nevojitet për të bërë ç’duhet të bësh. E di, sepse unë vetë t’i kam siguruar ato aftësi.

Oh… e drejtë. E po, atëherë, Ti duhet të jesh Pjesa brenda meje që do t’i falë ata, pasi unë nuk ndihem mjaftueshëm e fuqishme. Ti je forca ime, Zot. Prandaj, të lutem më ndihmo t’i fal ata, me anë të hirit Tënd.

Dhe Ai më ka ndihmuar çdo herë që nga ajo ditë! Falja nuk është e lehtë, megjithatë është e mundur me ndihmën e Tij.

Kam zbuluar se falja është një proces i vazhdueshëm, dhe në dashurinë dhe mëshirën e Tij, Zoti më ka dhënë disa mjete për të ma lehtësuar këtë proces gjatë rrugës. Disa nga mjetet janë të çuditshme, disa janë të thella, disa janë thjesht mendim praktik, si shikimi i gjërave në një mënyrë tjetër, mbase mënyra sesi i sheh gjërat Zoti.

Një mjet i çuditshëm është ndjesia e humorit. Bibla thotë, “Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat.” 2 Ashtu si ilaçi i duhur mund të ndihmojë në qetësimin e dhembjeve dhe dhimbjeve tona, si dhe të shpejtojë shërimin tonë nga dëmtimet ose sëmundjet, po ashtu një zemër e lumtur, një ndjesi e mirë humori mund të jetë shumë e dobishme për të ngushëlluar dhe qetësuar zemrat dhe mendjet tona kur të tjerët na kanë lënduar, qoftë me dashje apo pa dashje.

Një herë kur po punoja së bashku me disa kolegë të rinj, duket se nuk arrija t’i bëja gjërat ashtu siç i pëlqenin ata. Isha e inatosur me ta dhe më vinte keq për. Vetëm në lutje, fillova t’i tregoja Zotit, E po, nëse ata s’më pëlqejnë … Para se të mbaroja fjalinë, një zë akoma i vogël i thoshte zemrës sime, Do të ha patatet e tyre të skuqura! Çfarë?!

Më shkriu gazit! Pasi krejt papritur, kjo më kujtoi një shaka mes meje dhe burrit tim të ndjerë. Vite më parë, kur po mësonte për herë të parë spanjisht, ai dhe disa miq po drekonin së bashku. Sa po mbaronin ushqimin, ai i tha dikujt me spanjishte të dobët, “Nëse s’më pëlqeni, do t’ju ha patatet e skuqura!” Shokët u shokuan! Pastaj ata qeshën, sepse ajo që ai do të thoshte ishte, “Nëse s’i pëlqeni, do t’jua ha patatet e skuqura.”

Sidoqoftë, ajo qeshje e mirë më ndihmoi të më ngrihej humori, kështu që munda t’i falja kolegët e mi të rinj dhe të mos e merrja më situatën kaq seriozisht.

Një mjet tjetër është ajo që unë quaj “10 Gjërat për të Falur.” Ajo vjen nga kjo anekdotë:

Në përvjetorin e saj të artë të dasmës, gjyshja ime zbuloi sekretin e martesës së saj të gjatë dhe të lumtur. “Në ditën e dasmës, vendosa të zgjedh dhjetë gabimet e burrit tim, të cilat, për hir të martesës sonë, unë do të anashkaloja,” shpjegoi ajo. Një mysafir i kërkoi asaj të përmendte disa nga gabimet. “Të them të drejtën,” u përgjigj ajo, “Nuk i kam renditur kurrë ato. Por sa herë që burri im bënte diçka që më çmendte, i thosha vetes, ‘Për fatin e tij të mirë, ky gabim është mes atyre dhjetë.’” 3

Një mjet tjetër i dobishëm vjen nga një histori që i atribuohet Corrie ten Boom, ku ajo shpjegon faljen përmes imazhit të një kambane të madhe kishtare. Për sa i përket emocioneve të vështira që shoqërojnë procesin e faljes, të tilla si pakënaqësia, ndjenjat e lëndimit, duke kaluar momente të dhimbshme pa pushim, etj. Ajo thotë se procesi i faljes është si të lëshosh litarin me të cilin i bihet kambanës së kishës. Ne themi që i falim dhe e lëmë ndjenjën e lëndimit të shkojë, por ato ndjenja të këqija nuk zhduken menjëherë. Pasi lëshojmë litarin, kambana e kishës vazhdon të tingëllojë edhe për pak kohë, por gjithnjë e më e ngadaltë dhe më e qetë, derisa përfundimisht ndalet krejt.

Rrethi i plotë i faljes mund të kërkojë kohë për të përfunduar, por përfundimisht na sjell paqe të mendjes dhe qetësim të shpirtit.

  1. Mateu 6:12
  2. Fjalët e urta 17:22
  3. Roderick McFarlane, Reader’s Digest, December 1992