Për thuajse 20 vite, kam qenë me të njëjtën skuadër, duke drejtuar një OJQ në Ish-Jugosllavi. “Një martesë!” kanë komentuar disa njerëz. Po, në njëfarë mënyre është e tillë. Kërkon shumë nga vetitë dhe zgjedhjet që kërkon një martesë.

Kur filluam fillimisht, ne ishim… e po, shumë më të rinj. Emocionet e sfidës, nevoja e madhe me të cilën përballeshim, dhe risia e punës ishin të gjitha faktorë mbizotërues. Edhe pse ne kishim personalitete të ndryshme, gjatë asaj faze të hershme ne ishim aq të zënë, saqë nuk kishim kohë të mendonim as për ndeshjet apo mjekimin e plagëve tona.

Megjithatë,  më vonë, ne përjetuam atë që shumica e martesave dhe lidhjeve përjetojnë: familjaritetin, vështirësitë në komunikim, tensionin dhe kështu me radhë. Më shumë se një herë ne tentuam të hiqnim dorë. Shumë herë ne mezi arrinim të duronim njëri-tjetrin!

Të pranonim dhe të përballeshim me kufizimet dhe diferencat tona ishte ajo, që në fund na ndihmoi të vazhdonim të përqendroheshim në qëllimet tona dhe të mos dekurajoheshim apo shpërqendroheshim kur përballeshim me ndërveprime të vështira apo ktheheshim hapa pas në punën tonë.

E pranoj, kërkon shumë falje, durim dhe mirëkuptim. Ne gjithashtu mësuam të pranonim kohët e këqija të njëri-tjetrit dhe periudhat e rezultateve të dobëta. Në fund të fundit, jemi njerëz, dhe edhe pse ia përkushtojmë shumicën e kohës sonë një kauze të mirë dhe përpiqemi të jemi idealistë dhe altruistë, ne padyshim nuk do ta arrijmë kurrë përsosmërinë.

Vetë perceptimi ynë ndonjëherë mund të jetë i gabuar, dhe dikur nxora një mësim të madh për këtë. Po diskutoja me një koleg se si njëri prej vullnetarëve tanë duket se i mungonte motivimi dhe pyeta veten nëse së shpejti do të hiqte dorë. Më vonë, mendja ime vazhdonte të ishte e turbulluar nga negativiteti im kundrejt tij, kur kontrollova postën elektronike dhe gjeta mesazhin e mëposhtëm:

Po binte shi jashtë dhe zemra ime gjithashtu po lëshonte lot trishtimi dhe dëshpërimi kur një nga kolegët tuaj më erdhi në zyrë. Buzëqeshja e tij dhe fjalët e mira ishin si një ylber në shpirtin tim. M’u duk sikur një engjëll sapo hyri brenda.

E gjetët. Ishte i njëjti vullnetar.