Katërmbëdhjetë vjet më parë, isha i ftuar në një festë lamtumire që një mikeshë po organizonte për një numër mjaft të madh miqsh dhe të njohurish. Nuk kisha qenë kurrë më parë në shtëpinë e saj dhe atë mbrëmje, teksa na përcollën në tarracën e madhe ku servireshin pije dhe ushqime, nuk e kisha idenë se ç’na priste.

Më kujtohet ende ndjesia që përjetova herën e parë që pashë pamjen mahnitëse nga ajo tarracë: deti i thellë blu i rrethuar nga kodra të gjelbra, ishuj në distancë, një qiell i mrekullueshëm. Qëndrova palëvizur për disa minuta, vetëm duke admiruar bukurinë që dukej sikur më shfaqej thuajse nga hiçi. Nuk isha i vetmi: shumica e të ftuarve të tjerë gjithashtu gjetën kohë për t’u mbështetur në parmak dhe për ta komentuar pamjen.

Menjëherë më pas, shtëpia me pamje spektakolare u bë shtëpia ime. Për shkak të një serie të mahnitshme ngjarjesh, në fakt na ndodhi që ta merrnim me qira pikërisht atë pronë vetëm disa muaj pas atij “takimi të parë” të paharrueshëm në festën e lamtumirës!

Gjatë 14 viteve që jetojmë atje, kemi organizuar seminare dhe kampe verore dhe kemi marrë fluks vizitorësh nga e gjithë bota dhe ata gjithashtu përfundojnë gjithmonë në tarracë, duke parë të mahnitur të njëjtën pamje të lë pa frymë, njësoj siç bëra unë. Ata janë atje duke shijuar pamjen, madje natën vonë dhe herët në mëngjes, edhe unë rijetoj përmes tyre emocionin që përjetova atë herën të parë.

Do të doja të mund të thosha se e ruajta atë ndjenjë habie, por rrëfej se tani jam njohur me pamjen. Them se është vetëm pjesë e natyrës njerëzore; kjo ndodh në marrëdhëniet, me komoditetet materiale që gëzojmë, madje edhe në jetën tonë shpirtërore. Ne fillojmë t’i marrim gjërat si të mirëqena dhe mësohemi me bukurinë ose dobinë e tyre dhe si përfundim, thjesht mpihemi ndaj tyre. Kjo na kujtoi vargun: “Kthemë gëzimin e shpëtimit Tënd.”1

Ndonjëherë ky restaurim ndodh kur e shikon të ndodhë tek të tjerët ose kur i ndihmon të tjerët ta zbulojnë atë për herë të parë. Por sido që të ndodhë, është e dobishme të gjejmë mënyra në jetën tonë për ta vlerësuar dhe çmuar atë freski dhe ndjenjën e mrekullisë.

Së shpejti do të shpërngulemi në një shtëpi tjetër dhe sigurisht, e gjej veten duke kaluar më shumë kohë në ballkon duke parë pamjen.

  1. Psalmet 51:12