Gjyshja ime nuk ishte një grua karriere. Në fakt, ajo kishte punuar jashtë shtëpisë vetëm gjashtë vite gjatë gjithë jetës së saj. Kur u martua, ajo dhe gjyshi im nuk e përballonin dot financiarisht që të dy të largoheshin për pesë vite me studime, kështu që, edhe pse ajo shpresonte ta ndiqte shkollën, ajo ndenji në shtëpi me të afërmit e burrit të saj, të cilët fatkeqësisht e trajtonin ashpër atë. Ajo duroi ndarjen dhe të afërmit e pasjellshëm me durim, pa u ankuar asnjëherë në letrat e saj.

Gjyshi im vazhdoi një karrierë të suksesshme si avokat dhe gjykatës, ndërkoha gjyshja mbeti në shtëpi, duke u kujdesur për fëmijët, në fillim, për binjakët e saj, më pas nipërit e motrave e vëllezërve, dhe në fund, për fëmijët e fëmijëve. Unë kalova çdo verë, dhe disa vite shkolle gjithashtu, te shtëpia e gjyshërve të mi.

Tani 93 vjeçe, gjyshja është ende një burim mençurie, një shtyllë ku të mbështetesh kur ke nevojë për qetësi në këtë botë të shpejtë, dhe një kujtues e asaj çka është e rëndësishme në jetë. Ajo ka qenë një nga shembujt më të mirë në jetën time, edhe pse kryesisht i kalonte ditët e saj e mbyllur në apartamentin e saj, ajo vazhdon të jetojë nëpërmjet meje dhe gjithsecilit prej personave, në jetën e të cilit ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme.

Ndonjëherë, pyes veten a është e mundur, apo a ia vlejnë përpjekjet për të qenë një ndikim i mirë në këtë botë mizore. Më pas, më kujtohet vetëpërmbajtja, hareja, paqja e brendshme dhe lumturia e gjyshes, dhe vendos të jap më të mirën nga vetja. Nëse mund të përcjell mësimet e saj të vyera dhe shembujt e jetës që më ka ngulitur, edhe unë mund të jem një forcë pozitive.

* * *

“Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.”— Jezusi, Gjoni 15:5,8

“Të mbushur plot me frytet e drejtësisë që vijnë prej Jezu Krishtit, për lavdinë dhe lavdërimin e Perëndisë.”— Filipinianëve 1:11

Të njohësh Jezusin dhe të mbushësh jetën tënde me Shpirtin e Tij është mënyra më e mirë për ta bërë çdo përvojë më me kuptim dhe më të frytshme. Kërkoji Atij të qëndrojë me ty nga sot në përjetësi:

I dashur Jezus, të lutem eja në jetën time dhe më ndihmo të jem një reflektim i Yti, i përkujdesjes dhe dashurisë Tënde tek të gjithë që do të takoj. Amen.