Fëmijët—e madje dhe shumë të rritur—e pëlqejnë shumë historinë e Aladinit. Aventura, marifete magjike, e mira kundër së keqes, dhe historia finale e suksesit të një djali lypës që transformohet në princ nga një xhind i mahnitshëm. Ka diçka tërheqëse rreth atij suksesi të lehtë. Në vend që të disiplinojë veten dhe të punojë shumë për të patur sukses, Aladini përdor magjinë.

Në jetën e vërtetë, sidoqoftë, realizimi i dëshirave merr formë tjetër. Mund të mos jemi të lumtur me xhindin e Aladinit në llambë, apo me zanat e bukura të hirushes, por secili prej nesh i ka mjetet për të arritur shumë gjëra që duam apo na duhen. Në botën reale, gjëra si marrja e një provimi që kërkojnë aftësi, apo arritja e disa objektivave të vlefshme ndodhin duke u vetëbërë mjeshtra të një fushe. Nuk është aq magjepsëse, dhe suksesi nuk vjen brenda natës; e vërtetë, mund të duket si një zëvendësim i varfër për një xhind, apo disa fjalë magjike dhe pluhur magjik, por ka më shumë mundësi të ketë një ndikim më afatgjatë në jetën tuaj.

Stephen Covey, autor i Shtatë Zakonet e Njerëzve Shumë Efektivë, shkruan, “Njerëzit pa vetëkontroll bien pre e tekave, dëshirave dhe pasionit të tyre.” Më duhet vetëm të mendoj për këto pak ditë që kaluan që të bindem për këtë gjë. Më pëlqen ta shikoj veten si një qënie e pavarur, me kontroll të plotë ndaj emocioneve dhe dëshirave, por më duhet ta pranoj që nuk kam gjithmonë aq kontroll ndaj vetes sa do të doja të kisha. Këtë e kuptova duke parë dy herët e fundit, kur nuk u stërvita sepse nuk ishin temperaturat e përshtatshme, apo kur “rastësisht” fillova të shoh episodin më të ri të Pra Ti Mendon Se Di Të Kërcesh ndërkohë që duhet të respektoja një afat kohor për dorëzimin e një shkrimi.

Nëse sot do të isha duke jetuar sipas “tekave, dëshirave dhe pasioneve të mia,” do t’ia nisja duke fjetur pasi do të kisha pare një film deri vonë mbrëmë. Do të zgjohesha rreth orës 3 të pasdites, dhe pastaj me siguri do mendoja se s’më bëhej të punoja menjëherë. Nëse do të kisha uri, do të shkoja në dyqan t’i ofroja vetes një pako patatina të reja nga të preferuarat e mia. Duke u kthyer në shtëpi, jam shumë i sigurt se do të mendoja se duke qenë se pjesa më e madhe e ditës kishte kaluar, nuk do të kishte vlerë të filloje diçka, dhe kjo do të zëvendësohej me më shumë relaksim.…

Çështja është se edhe pasi bie në atë gjëndjen koma të rëndë nga parja e një filmi, apo edhe kur vendos ta harroj stërvitjen e zakonshme të kësaj dite, brenda meje ekziston sërish një dëshirë për të mos qenë komplet pasiv. Dua të bëj më shumë me jetën time sesa të jem pre e tekave apo impulseve të mia. Dua të udhëtoj; dua te filloj biznesin tim personal; dua të shkruaj libra; dua që përfundimisht të jem një zonjë 90 vjeçare në formë të mirë fizike dhe shëndetësore që e shijon ende çdo ditë. Vështirësia qëndron te vonesa e dëshirës sime për kënaqësi të menjëhershme, për të arritur përfitime afatgjata. Me fjalë të tjera: Kam nevojë të mësoj se si të kontrolloj veten në të tashmen në mënyrë që të kem të ardhmen që dëshiroj.

Duke mësuar si të kontrollojmë impulset tona, ne bëhemi njeriu që të tjerët duan të njohin.

Njerëzit që mund të kontrollojnë veten zakonisht:

  • kanë marrëdhënie më të mira me të tjerët, sepse kanë mësuar ta kontrollojnë durimin dhe ndjenjat e mërzisë ndaj gjërave të vogla
  • janë në përgjithësi më të shëndetshëm fizikisht si rezultat i stërvitjes së mirë dhe zakoneve të ushqyerjes.
  • kanë kontrolluar mendjet e tyre dhe kanë mësuar se si t’i përdorin njohuritë për të patur sukses.
  • janë të mbushur më një vetëvlerësim të arsyeshëm, sepse e vlerësojnë veten shumë për tu kënaqur me zakone negative apo vetëshkatërruese.
  • janë zakonisht më të lumtur, sepse po marrin atë që duan nga jeta.

Anasjelltas, Bibla thotë “ një njeri pa vetëkontroll është si një qytet me mure të rrëzuar.” 1

Të mësosh të kontrollosh impulset dhe dëshirat e tua është një aftësi për të patur sukses në jetë. Mund ta duash shumë diçka, por nuk bën kurrë diçka për ta arritur atë. Pjesa “për ta arritur” është ajo që kërkon shumë punë, shumë përpjekje, kërkon të merresh me një situate të vështirë, t’i thuash jo gjërave të tjera që mund të të shpërqëndrojnë me një fjalë: zotërim i vetes. Pas asaj që thuhet apo bëhet, çelësi kryesor për të arritur atë që dopo ashtu edhe pengesa kryesoreka shumë gjasa të jesh ti.

  1. Proverbat 25:28