Disa vite më parë, jeta ime ishte shumë e pasigurt. Dhe në mes të asaj humbjeje, krize dhe stresi, nisa të vija çdo gjë në pikëpyetje, edhe vetë themelin e besimit tim. Jam ndier shumë rehat me lutjen më parë, por më pas, u kthye në një mundim. Disa ditë isha e zemëruar me Zotin, disa ditë nuk ndieja se mund t’i besoja Atij, disa ditë thjesht nuk e dija çfarë ndieja.

Më pas, më lindi ideja të lexoja pak nga libri i Psalmeve që herët në mëngjes. Nuk eca shumë, para se ta kuptoja që është një libër lutjesh. Mbret David i ndante të gjithë mendimet dhe emocionet e tij të pacensuruara me Zotin. Ai nuk priti derisa mundi ta paraqiste veten “siç duhej.” Nëse e kishte zemrën të thyer, ai e thoshte këtë. Nëse ishte i pushtuar nga gëzimi, ai e ndante atë me Zotin me lëvdata. 1

Në Psalmin 139, David i thotë Zotit: “Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je aty. Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.” 2

Kur ishte i sigurt që kishte nevojë për ndihmë, ai lutej: “Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit, duke thënë:”Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde? Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime.” 3

A nuk ngjan ky si komunikimi i një zemre, të cilën Zoti e njeh? Është e afërt, e besueshme, autentike, e thyer dhe mirënjohëse, të gjitha në të njëjtën kohë. Davidi e shprehte para Zotit, çfarëdo që ndiente. Ai kërkonte çfarëdo që kishte nevojë. Unë vendosa të marr shembull prej tij.

I çlirova lutjet e mia nga çfarëdo lloj formaliteti. I dhashë zë dëshpërimit tim, shpresave të mia, dhimbjeve të mia, kërkesave të mia, gëzimeve të mia, inatit tim, frikës sime dhe nevojave të mia duke përdorur çfarëdo lloj fjalësh dhe ndjenjash kisha. Mbi të gjitha, vazhdova të flisja me Zotin. Edhe pse, nuk e kuptoja. Edhe pse përgjigjet vinin me vonesë.

Lutja është thjesht të flasësh me Zotin. “Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht,” 4 tregonte Davidi. Zoti e di tashmë çfarë ke në zemër, nuk ka nevojë “ta maskosh” për Të.

  1. Mbreti David besohet të ketë qenë autori i gjysmës së Psalmeve — 78 nga 150.
  2. Psalmet 139:7–10
  3. Psalmet 30:8–10
  4. Psalmet 139:4