Lutja shpesh funksionon si pjekja e një cope buke: Fillimisht, vjen përzierja e përbërësve, mbrujtja e bukës, ardhja e brumit, dhe më pas, pjekja e produktit të përfunduar.

Hapi i parë: përziej përbërësit. Kur pjek bukë, nuk mund të hedhësh një sërë përbërësish të çfarëdoshëm në një tas dhe të presësh të dalë një copë bukë. Nëse pret të marrësh një produkt të ngrënshëm, duhet të përdorësh përbërës specifikë.

Zoti dëgjon çdo lloj dhe stil lutjeje, dhe Ai do t’u përgjigjet lutjeve edhe pse ne nuk e dimë vërtetë si të lutemi, apo për çfarë të lutemi. Por duke ditur çfarë “përbërësish” zakonisht duhen për lutjen, ju jep besimin se ju e keni bërë pjesën tuaj dhe se pjesa tjetër varet nga Zoti. Ja disa përbërës të rëndësishëm:

  1. Lutu në emër të Jezusit. Në Gjoni 14:14 Jezus tha, “Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj.” 1
  2. Ji i qartë dhe specifik. Thuaja Jezusit nevojat e tua dhe si do të doje që Ai të t’i siguronte. Mateu 7:7 thotë, “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet”. Që të “kërkosh” në vendet e duhura dhe të “trokasësh” në dyert e duhura, të ndihmon të dish çfarë do dhe çfarë po kërkon.
  3. Pretendo premtimet e Zotit. Kur Jezusi po fliste me Atin e Tij, Ai tha, “Fjala Jote është e vërteta.” 2 Fjala e Zotit dhe premtimet e Tij janë të vërteta dhe autentike.
  4. Ki besim për përgjigjen. James 1:6–7 thotë, “Kur kërkon, duhet të besosh, jo të kesh dyshime, sepse ai që dyshon është si vala e detit, lëkundet dhe tronditet nga era. Ai person nuk duhet të presë të marrë gjë nga Zoti.”
  5. Shoqëroji lutjet me lëvdata dhe falënderime. Pali shkroi, “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.” 3

Këta janë disa përbërës bazë të lutjes, njësoj si mielli, kripa, uji dhe majaja janë përbërësit bazë për bukën.

Hapi i dytë: mbruj brumin. Pasi përzieni përbërësit, ka ardhur koha të mbruni brumin. Kjo mund të jetë e vështirë. Kur bën bukë, duhet ta rrotullosh brumin sa andej-këtej, duke e shtypur dhe duke i ushtruar presion për një periudhë të gjatë kohore.

Ne nuk e shohim gjithmonë lutjet si punë të vërtetë, shpesh është gjëja e fundit të cilës i drejtohemi pasi kemi punuar mbi një problem vetë për pak kohë, por ndonjëherë Zoti pret që ne të vazhdojmë të lutemi derisa të marrim përgjigjen. Luka 18:1 thotë, “U dha atyre një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur.”

Hapi i tretë: ardhja e brumit. Hapi përfundimtar, fiks para se ta fusësh në furrë për ta pjekur, është periudha e fryrjes apo ardhjes së brumit. Është procesi kur e lë bukën të fryhet. Nuk ke ç’bën në këtë pikë që brumi të vijë më shpejt. Duhet thjesht ta lësh dhe të besosh që do të funksionojë. Durimi është si “bymimi” i lutjes tënde. 4

Ndonjëherë, duhet ta shtypësh prapë brumin, pasi ke pritur pak, dhe pastaj, duhet ta lësh të fryhet përsëri. Edhe kështu funksionojnë shpesh lutjet. Ke bërë pjesën tënde duke u lutur, ke pasur besim, lutesh vazhdimisht, tregohesh i duruar, por përsëri vjen një dallgë, që të duhet si një “jo” e madhe, ose një “prit.” Besimi të ndihmon të vazhdosh të kesh besim edhe kur duket se i gjithë ajri është larguar nga lutjet e tua. Besimi është si majaja që e bën brumin të fryhet, edhe pasi është shtypur. Hebrenjve 11:1 thotë, “Besimi është siguria e gjërave që shpresohen” — fryrja ose garancia — “tregim i gjërave që nuk shihen.”

Hapi i katërt: piq bukën. Pasi e ke futur bukën në furrë, duhet të presësh akoma edhe pak. Kjo ndonjëherë mund të jetë pjesa më e vështirë e procesit të lutjes, të presësh përgjigjen. Mund ta ndiej aromën e bukës duke u pjekur, ndien që Zoti po punon, por merr kohë dhe sa më i madh të jetë kërkesa jote, shpesh aq më shumë kohë nevojitet të marrësh përgjigjen. Simitet e vogla të bukës piqen brenda disa minutave, kurse një copë e plotë mund të marrë rreth një orë. Vonesa nuk do të thotë që nuk do të ketë bukë; thjesht që duhet të kesh durim pak më gjatë.

Pasi e ke futur në furrë, duhet të kesh besim që buka do të piqet. Mund të vazhdosh ta hapësh furrën dhe ta ngacmosh, por s’ka për t’u pjekur më shpejt. Hebrenjve 11:6 thotë se kur vjen te Zoti me një kërkesë duhet të besosh “se Zoti shpërblen ata që e kërkojnë sinqerisht.” Të duhet ta lësh aty dhe të presësh derisa ora e Zotit të jap sinjal.

Disa bukë marrin më shumë kohë për t’u pjekur në krahasim me të tjera. Disa bukë duan vetëm pak përbërës, ndërsa lloje të tjera kërkojnë një shumëllojshmëri më të madhe elementesh. Disa bukë bëhet shpejt, ndërsa të tjera kërkojnë një proces më të gjatë, madje, edhe një ditë ose dy, para se të jenë gati për t’u pjekur. Pra, kështu ndodh edhe me lutjet tona. Bashko përbërësit e lutjes tende, “fryji” me besimin tënd, dhe besoji Zotit për rezultatet.

  1. frazë e theksuar
  2. Gjoni 17:17
  3. Filipianëve 4:6
  4. Shih Hebrenjve 10:36.