Kur isha e vogël, unë dhe motra ime luanim Lojën e Buzëqeshjes. Kurdo që dilnim, që çonim ndonjë porosi me nënën tonë, kur shkonim në supermarket apo kur prisnim në semafor, ne bënim një konkurs të vogël për të parë se kush mund të gjente më shumë buzëqeshje tek njerëzit që kalonin afër.

Shihnim biznesmenë që nxitonin duke folur në celular, shoferë që i binin borisë, lypësa që zgjasnin përpara një kapele, prindër që përpiqeshin të menaxhonin fëmijët e tyre energjikë, adoleshentë të zhytyr në botën e internetit. Një mori fytyrash të vrara, të largëta, të ngrysyra; fytyra pa asnjë shenjë jete… Ne numëronim buzëqeshjet që çuditërisht ishin të pakta në numër–një çift të rinjsh të dashuruar; një gjyshe që qesh me sjelljen e çuditshme të nipit të saj; një shitës që po bën për vete një klient të ri …

Vitet kaluan dhe Loja e Buzëqeshjes u harrua. Si adoleshente, nuk isha shumë ndryshe nga ato fytyrat e tendosura që shihja në rrugë, e përhumbur në muzikën time dhe e inatosur me botën në përgjithësi.

Kur isha 15 vjeç, gjatë pushimeve në plazh me familjen, një mik i prindërve të mi na ftoi për darkë në restorantin e tij. Ishte një vend i bukur dhe i freskët poshtë palmave, dhe perëndimi i diellit dukej sikur ishte pikturuar me dorë. Ai ishte një zotëri i qeshur dhe mikpritës, dhe u kujdes që të rehatoheshim të gjithë. Pas disa minutash bisede, më vështroi i shqetësuar dhe më pyeti,

“Përse nuk buzëqesh? Je e mërzitur?”

E zënë në befasi, e sigurova se ndihesha shumë mirë. Por ajo nuk ishte hera e parë që më pyesnin të njëjtën gjë dhe kjo tronditi gjithë botën rreth meje.

Kisha menduar se isha e vetmja që mund të shihja retë e zymta mbi kokën time, por e kisha gabim.

“Retë tona të shiut” në fakt, janë pjesë e qiellit nën të cilin jetojnë të gjithë, dhe rrugët tona ndërthuren vazhdimisht.

Edhe sot, më duhet të “rregulloj” shprehjen e fytyrës herë pas here. Në fund të fundit, Zoti na i ka dhënë shqisat për të shijuar, natyrën për ta admiruar dhe të ardhmen për ta shikuar. 1

Ndaj, jini të lumtur! Ecni nën rrezet e diellit.

Dhe nuk i dihet kurrë—dikush mund të jetë duke luajtur Lojën e Buzëqeshjes pa e ditur ti.

  1. Shih Jeremia 29:11