Fqinja ime Marta u nda nga jeta këtë javë pas një beteje të gjatë me sëmundjen e emfizemës. Do më mungojë. Kam menduar shumë për të këto ditë.

Kur bashkëshorti im Dan dhe unë u transferuam në lagje, Marta na ftoi për çaj dhe biskota. U ulëm në dhomën e saj të ndenjes, aq të rregullt, dhe folëm rreth familjes sonë dhe punës vullnetare që kishim bërë në Meksikë. U ndjemë si në shtëpinë tonë, dhe isha mirënjohëse që kisha një fqinje si Marta që dëshironte të na ofronte mikpritjen e saj.

Kam vështruar nga dritarja thuajse çdo ditë gjatë tetë viteve të shkuara dhe jam lutur për Martën. Kam ndjerë një lloj përgjegjësie të kujdesem që ajo të jetë mirë dhe të isha pranë saj sa herë që do të kishte nevojë për mua.

Ju e kuptoni që Marta ishte e vetme. Nuk kishte fëmijë dhe bashkëshorti i saj ishte larguar nga kjo botë. Duke qenë se gjëndja e saj shëndetësore u përkeqësua vitin e fundit, Dan merrte gazetën çdo mëngjes dhe ia çonte te dera që ta kishte më të lehtë për ta marrë. Një ditë pashë kopshtarin e saj që kosiste barin. Pastaj zhurma u bë më e fortë, dhe vura re që ai po kosiste edhe barin tonë. Marta ma bëri me shenjë që nga dera e saj duke thënë se po na falenderonte për mirësinë që i kishte ofruar Dani.

E admiroja kopshtin e saj të përkryer dhe e kisha për nder të kujdesesha për lulet e saj kur ajo shkonte me pushime. Lulet e Martës ishin si kafshët e saj. Ajo u dhuronte dashuri dhe ato lulëzonin.

Një ditë, erdhi shoqja e ngushtë e Martës. Folëm për disa minuta dhe ajo më shpjegoi se Marta kishte marrë kredi dhe banka do të merrte në dorëzim shtëpinë e saj. E pyeta për lulet dhe ajo më sugjeroi t’i merrja e të kujdesesha për to, sepse kur të vinin punonjësit e bankës të bënin bllokimin e pronës, lulet do të zhdukeshin. U ndjeva sërish e nderuar. Lulet i kishin sjellë Martës shumë gëzim dhe tani do të më sillnin gëzim mua dhe familjes sime.

Marta më mësoi shumë gjëra dhe dua të jem e sigurt që trashëgimia që ajo la në mirësi dhe miqësi, të jetojë ashtu si lulet e saj. Në të ardhmen, gjithmonë do t’i mirëpres njerëzit e rinj që vijnë në lagje. Nuk do fus hundët e t’i pushtoj me pyetje, por thjesht do u bëj të ditur se jam këtu nëse kanë nevojë për diçka. Të gjithë kemi nevojë për një fqinj të mirë herë pas here.