Jezusi hapi Predikimin në Mal me Lumturitë, të cilat japin një pasqyrë të mënyrës se si Ai synon që ndjekësit e Tij ta jetojnë besimin e tyre. Përgjatë pjesës tjetër të Predikimit, Ai shprehu parime të tjera dhe më të detajuara, të cilat krijohen te Lumturitë.

Një nga ato parime, që vjen direkt pas Lumturive, është:

“Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vjen për asgjë, veçse për t’u hedhur dhe ta shkelin njerëzit. Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë në babune, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithëve atyre që janë në shtëpi. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj, që është në qiej.” 1

Në botën e lashtë, kripa ka qenë shumë më e rëndësishme nga sa është sot. Ligji i Moisiut kërkonte që sakrificat e bëra në tempull të përmbanin kripë, dhe ushtarët romakë merrnin kripë në vend të një pjese të rrogës së tyre. Një sasi e vogël kripe shtohej në të gjithë pjatën, duke e bërë ushqimin shumë më të shijshëm. Atributet e përmendura në Lumturitë dhe përgjatë Predikimit në Mal rrezatojnë nga ndjekësit e vërtetë të Jezusit dhe ndikojnë tek të tjerët për më mirë. Pra, ata janë si “kripa,” i japin shije gjithë atyre që i rrethojnë.

Që nga kohët e lashta, kripa është përdorur gjithashtu për të konservuar ushqimin, kryesisht mishin dhe peshkun, duke i ruajtur ato të mos prishen dhe kalben. Ndikimi i besimtarëve në botë mundet dhe duhet të ketë ndikim te individët dhe shoqëria në një mënyrë që funksionon të ruajë vlerat e mira dhe besimtare, dhe të kundërshtojë ato që Bibla i përshkruan të pafe. Ne, të krishterët, duhet të jemi një forcë pozitive morale dhe shpirtërore në botë, përmes shembujve tona të mësimeve të gjalla të Jezusit, duke bërë ç’mundemi për t’u matur me Të dhe duke ndarë lajmet e mira të shpëtimit me të tjerët.

Ne e dimë sot se kripa e pastër (kloruri i natriumit) nuk do ta humbasë shijen e saj. Megjithatë, kripa në kohën e Jezusit nuk ishte e pastër, pasi nuk kishte rafineri. Kripa në Palestinë përgjithësisht vinte nga Deti i Vdekur. Ngjante më shumë si pluhur sesa me kripën që njohim sot, dhe përmbante një përzierje mineralesh të tjera. Duke qenë se kloruri i natriumit ishte pjesa më e tretshme e përzierjes, mund të lahej ose të tretej po të ekspozohej ndaj kondensimit apo shiut. Kur ndodhte kjo gjë, edhe pse pluhuri i bardhë që mbetej dukej përsëri si kripë, nuk kishte më shijen e kripës apo karakteristikat e konservimit të kripe. Nuk shërbente më për gjë. Si kripa pa shije, dishepujt, të cilëve u mungonte përkushtimi i vërtetë ndaj dishepullizmit nuk kishin më asnjë efekt.

Jezusi më pas, përdori një metaforë për dritën, duke theksuar se jeta e një dishepulli duhet të ndriçonte botën përreth tyre, dhe se dishepujt që jeta e të cilëve nuk tregonte punën e Atit ishte si dritat që nuk dukeshin. Bota ka nevojë për dritën e Jezusit, dhe dishepujt e Tij duhet të duken, si një qytet në një kodër, që mund të shihet qartësisht nga larg, si ditën edhe natën, për shkak të dritave të tij.

Jezusi foli gjithashtu për llambën që ndriçon brenda shtëpisë. Një shtëpi tipike fshati në Izrael përbëhej vetëm nga një dhomë, kështu që, një llambë e vetme mund të ndriçonte të gjithë shtëpinë.  Një llambë shtëpie në kohën e Jezusit ishte një tas i cekët me vaj, që kishte një fitil në të. Normalisht ishte dritë e qëndrueshme, e vendosur në një shandan. Jezusi theksonte se njerëzit e vendosnin llambën në një shandan që të ndriçonin të gjithë shtëpinë; ata nuk e vendosnin atë nën një zymbyle, ku të mos dukej drita. Zymbyle, e përkthyer në disa variante Bible si shportë, ishte një enë, e cila përdorej për të matur grurin dhe mbante rreth nëntë litra. Bëhej ose prej argjile ose prej xunkthi. Ta vendosje një enë të tillë mbi llambë do ta mbulonte tërësisht dritën dhe si përfundim, do ta fikte.

Që llamba të përmbushë qëllimin e saj të shpërndajë dritë, duhet të jetë e dukshme; kështu që, do të ishte absurde ta mbulosh dritën, duke qenë se do të kundërshtonte plotësisht qëllimin e përdorimit të llambës. Gjithashtu, për të qenë të krishterë të efektshëm, ne duhet të jetojmë në një mënyrë që i lejon të tjerët të shohin që jemi të krishterë, të shohin si jetohet jeta sipas mësimeve të Jezusit. Në të njëjtën mënyrë, siç shihet qartësisht një qytet i ngritur mbi një kodër dhe një llambë ndriçon të gjithë shtëpinë, ne duhet të rrezatojmë Zotin tek ata që ndërveprojmë.

Më vonë, te Predikimi në Mal, Jezusi i udhëzon dishepujt e Tij, që ata nuk duhet të lejojnë të tjerët t’i shohin duke bërë mirë, që në pamje të parë duket të bjerë në kundërshti me atë çka Ai thotë këtu: “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj, që është në qiej.”

Duke e jetuar besimin tonë, ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të reflektuar Zotin, të jemi të dashur, të mëshirshëm dhe të dhimbsur në veprimet tona; duke i ndihmuar të tjerët, duke u thënë atyre në nevojë, etj. Megjithatë, qëllimi ynë duhet të jetë t’i bëjmë këto gjëra për lavdinë e Zotit, jo tonën. Qëllimi ynë për të ndihmuar të tjerët, që të vendosim mësimet e Jezusit në praktikë, duhet të jetë përkushtimi ynë për të dashur Zotin dhe për të dashur të tjerët si veten. Është pjesë e identitetit tonë si të krishterë, duke qenë se qëllimi ynë është të jetojmë në një mënyrë që e mbulon me lavdi Zotin. Duke qenë se jemi bërë pjesë e familjes së Zotit, ne i reflektojmë atributet e Tij, pasi Ai është Ati ynë.

Të jesh ndjekës i Jezusit dhe mësimeve të Tij na veçon. Siç tha edhe Jezusi, “Ju nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota.” 2 Apostulli Pal e shprehu në këtë mënyrë: “Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni pra, si bij të dritës, sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë.” 3

Dishepujt e Jezusit janë drita e botës, dhe si një qytet i ngritur mbi kodër, që nuk mund të fshihet, si një llambë që ndriçon të gjithë shtëpinë, na kanë thirrur të lëmë dritën që kemi brenda nesh të shkëlqejë në mënyrë që të tjerët ta shohin, që të mund t’i japin lavdi Zotit. Si të krishterë, ne supozohet të reflektojmë dritën e Zotit në botën tonë, në mënyrë që të ndriçojmë rrugën për Të. Është pjesë e përshkrimit tonë të punës si besimtar.

Thirrja e të krishterëve është kripa e tokës dhe drita e botës. Për të qenë të efektshëm dhe të vërtetë kundrejt thirrjes sonë, ne duhet të ruajmë kripësinë dhe të sigurohet që drita jonë të duket; përndryshe ne bëhemi të paefektshëm, si kripa që humbet shijen e saj, bëhemi dritë që nuk ndriçon askënd. Përkushtimi ynë si ndjekës të Jezusit është të jetojmë mësimet e Tij, që drita brenda nesh të ndriçojë para të tjerëve; kështu ata do të shohin veprat tona të mira, veprimet tona plot dashuri, si sillemi në dashurinë e Zotit, dhe ata do të vënë re dhe do të shohin reflektimin e Zotit brenda nesh. Shpresojmë që ata të kenë dëshirë të dinë çfarë na ka bërë kështu si jemi, si rrjedhim, të hapin derën që t’u tregojmë dashurinë e Zotit për ta, që do t’i bëjë ata të nisin një marrëdhënie me Të dhe me kalimin e kohës t’i thurin Atij lavdi.

Qoftë vërtet secili prej nesh kripa e tokës dhe drita e botës.

  1. Mateu 5:13–16
  2. Gjoni 15:19
  3. Efesianëve 5:8–9