“Je më trim nga sa beson, më i fortë nga sa dukesh dhe më i mençur nga sa mendon.”—Christopher Robin (A. A. Milne)

Herën e parë që lexova këtë thënie, m’u kujtua një histori e një djali të ri me aftësi të jashtëzakonshme atletike. Që në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare Rafael Nadal e dinte se dëshironte të bëhej kampion bote në tenis. Ishte viti 2005, dhe pasi kishte fituar titullin e parë Grand Slam, dhe pasi u rendit i dyti në klasifikimet ATP po atë vit, dukej i gatshëm për të ngjitur shkallët e një suksesi më të madh. Por, pas disa javësh shqetësimi në këmbën e tij të majtë, mjekët zbuluan se ai kishte lindur me një sëmundje të rrallë këmbësh që i shkaktonte enjtjen e një kocke në shputën e tij dhe dhimbje të vazhdueshme. Shqetësime që mund të shkatërronin karrierën e tij brenda një nate.

Kjo kthesë fati shkatërroi pritshmëritë rinore të Rafaelit. Duke mos qenë i aftë të ecte, aq më pak të luante tenis, ai ra në depression të thellë. Kalonte shumë kohë i shtrirë në divan me sytë ngulur në tavan apo i ulur në banjo duke qarë. “Nuk qeshja, nuk buzëqeshja, nuk kisha dëshirë të ecja. Humba dëshirën për të jetuar,” tregonte ai më vonë.

Në atë pikë, Rafa duhet të merrte një vendim të rëndësishëm. Ai mund të dorëzohej ose të vazhdonte përpara. Mund të zgjidhte rrugën e lehtë, por do të humbte shpërblimet e mundshme që mund t’i ofronte rruga e vështirë. Ai zgjodhi të shkonte përpara, të përqëndrohej tek fitorja, edhe pse shihte vetëm disfata në rrugën që zgjodhi. Nuk ishte zgjedhje e lehtë; vazhdoi të kishte dhimbje e dëmtime në këmbë, por vendimi i marrë e shpërbleu pas tre vitesh kur u shpall lojtari numër një i tenisit në botë.

Ka momente kur jeta tregohet e ashpër dhe e hidhur me ne. Ëndrrat na shuhen, shpresat zhduken dhe ne zhytemi në dëshpërim. Por edhe nëse të gjitha rrethanat flasin për humbje, ne mund të zgjedhim të jetojmë në fitore. Mund të zgjedhim të rezistojmë ditë pas dite, orë pas ore, moment pas momenti. Mund të zgjedhim të provojmë sërish edhe nëse kemi frikë se dështojmë. Mund të zgjedhim të dashurojmë sërish edhe nëse jemi lënduar. Mund të zgjedhim të japim edhe nëse kemi vuajtur nga humbja. Dhe një ditë, edhe ne do të dalim nga netët tona të errëta drejt agimeve plot dritë.