Nga të gjitha shprehjet e Jezusit, nuk mendoj se ka ndonjë tjetër që na sjell paqe në shpirt dhe që të jep siguri nga përkujdesja e ngrohtë e Zotit se sa kjo shprehje: “Mendoni sesi rriten zambakët e fushës. Po nëse Zoti e vesh kështu barin e fushës, a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju?” 1 A mund t’i shihni ata zambakë tani? Të gjatë dhe të drejtë, të krijuar aq bukur dhe të mbuluar me vesë, të vendosur me finesë larg njëri-tjetrit, ata shtrihen si tingujt e ëmbël të zogjve dhe si një fllad i lehtë që pushton livadhet e gjera të mbuluara nga dielli i mëngjesit. Të paktën, kështu do i kisha rritur unë, nëse Zoti do të më kishte pyetur mua.

Një tablo krejt ndryshe qëndron e varur mbi tavolinën time—një rrëmujë lulesh të egra dhe barishtesh, barërash, gjëmbaçësh dhe kush e di se çfarë tjetër, disa të freskëta e të lulëzuara, disa gati për t’u vyshkur dhe disa të tjera me gjethe të rëna. Fotoja ishe nga një udhëtim i gjatë nëpër fshatrat e Teksasit, ku bënte shumë vapë, duke kërkuar një pamje që lidhej me një imazh që kisha në mendje, të krijuar muaj më parë ndërsa lutesha për pjesën time në një projekt të ri; ku u përfshinë shumë njerëz, ku secili prej tyre shtoi nevojat, opinionet, synimet specifike dhe vështirësitë e veta.

Ajo që më mahniti më shumë lidhur me pamjen, kur e shikoja shkarazi gjatë lutjes, ishte se në çast më qetësonte zemrën dhe mendjen. Kisha bindjen se Zoti, jo vetëm që e kishte çdo gjë nën kontroll, por Ai gjente kënaqësi në tërësinë dhe larmishmërinë e çdo elementi dhe vendosjen e tyre në atë përzierje të rrëmujshme. Krijuesi i dashuruar me krijimin e Tij. Gjërat nuk ishin siç do t’i kisha dashur unë, por si do t’i kishte dashur Ai. Ky lloj perceptim bëri gjithë diferencën. E titullova foton time Kaosi Hyjnor dhe e studioj dhe mësoj pres saj sa herë që e shqetësoj veten me ndonjë problem të ri. “Mendoni se si rriten zambakët e fushës.”

  1. Mateu 6:28–29