Si të jepni më shumë teksa shpenzoni më pak 

Koha. Ju ndoshta do të habiteni se sa njerëz në listën tuaj të dhuratave do të gëzonin një mbrëmje shoqërie më shumë sesa një dhuratë në kuti.

Shënime vlerësimi. Në vend të kartolinave komerciale të Krishtlindjeve me mesazhe të gatshme, merrni kohën që normalisht do të kalonit në blerjen e dhuratave për t’u shkruar atyre njerëzve shënime personale duke u treguar atyre se çfarë i bën ata të veçantë për ju.

Personalizoni pusullat e dhuratave. Bëni pusulla dhuratash duke premtuar të bëni riparime ose punë pastrimi, të kujdeseni për fëmijët, të mbaroni ndonjë porosi, të mësoni një aftësi që keni apo të kryeni ndonjë shërbim tjetër.

Bëni ose piqni një recetë. Kur shkëmbeni dhurata në zyrën tuaj ose festat e rrethit tuaj shoqëror, mund të sugjeroni që njerëzit të sjellin produkte të thjeshta të pjekura ose një dhuratë të bërë në shtëpi në vend të artikujve më të shtrenjtë, që shiten me pakicë.

Ndani fëmijët tuaj. Bëni regjistrime të fëmijëve tuaj duke kënduar këngët e Krishtlindjes, duke lexuar histori, ose duke treguar për aktivitetet e tyre më të fundit për gjyshërit dhe të afërmit e tjerë që nuk do të jenë në gjendje të kalojnë Krishtlindjen me ju, ose vendosini në kornizë dhe dërgojini atyre disa nga punimet më të mira të fëmijëve tuaj.

Hapni shtëpinë tuaj. Njihni një student universiteti që nuk ka mundësi të shkojë në shtëpi për pushime ose dikë tjetër që nuk ka ndonjë familje në vend? Ftojeni atë të kalojë pushimet me ju dhe familjen tuaj.

Mendoni për vendin tuaj. Duke i bërë blerjet tuaja të Krishtlindjes në dyqanet vendase private, që kanë kaluar një periudhë veçanërisht të vështirë në klimën aktuale ekonomike, në një farë mënyre jeni duke dhënë dyfish, edhe personit që do e marrë dhuratën, edhe pronarin e dyqanit.

Ofroni punë vullnetare në një strehë ose bamirësi. Bëni Krishtlindjen e të tjerëve të veçantë duke kaluar tuajat me ta. Punoni vullnetarisht si familje ose grup miqsh, dhe gjithashtu do të forconi lidhjet tuaja dhe do të krijoni një kujtim të përbashkët.

Jepni dhuratat tuaja. Tejkaloni shkëmbimin e dhuratave familjare dhe në vend të kësaj jepini dhurata një familjeje të varfër në komunitetin tuaj. Organizatat bamirëse në qytetin tuaj mund t’ju ndihmojnë të gjeni një familje në nevojë. Pastaj merrni fëmijët tuaj të bëjnë pazar dhe ndihmojini ata të zgjedhin dhuratat e Krishtlindjes për fëmijët në nevojë. Ose mund të grumbulloni paratë që zakonisht do të shpenzonit për dhurata për njëri-tjetrin dhe të ndihmoni në zbutjen e varfërisë në botën në zhvillim duke i dhuruar familjeve në nevojë.

Një dhuratë e menduar mirë për Krishtlindje nuk ka pse të kushtojë shumë para ose të kërkojë orë të tëra kërkimi nëpër qendrat tregtare të mbushura me njerëz. E vetmja gjë që ju nevojitet është zemra juaj e madhe dhe imagjinata. –Linda Kling

Nëse në vend të një guri të çmuar, apo edhe një lule, hedhim dhuratën e një mendimi të gëzueshëm në zemrën e një shoku, dhuratë e denjë kjo për engjëjt.– George MacDonald (1824–1905)

Krishtlindja është me të vërtetë Krishtlindje kur e festojmë duke i dhënë dritën e dashurisë atyre që kanë më shumë nevojë për të.—Ruth Carter Stapleton (1929–1983)