Kohët e fundit po rishikoja të kaluarën time, duke menduar për zgjedhjet që kam bërë dhe fillova të fajësoja të tjerët për mënyrën sesi kishin rrjedhur disa gjëra. Fajësova prindërit e mi për vendimet që ata morën, të cilat ndikuan në fëmijërinë time. Fajësova shkollën time për pasiguritë që ndieja, dhe që nuk u ndjeva kurrë se isha mjaft e përkryer për të pasur sukses në fusha të ndryshme. Fajësova kishën time për qëndrimet që kisha lidhur me Zotin që ndikuan në marrëdhënien time me Të.

Por ndërsa rrija shtrirë në shtrat duke menduar e përhumbur për jetën time, fillova t’i mirëkuptoj prindërit e mi dhe kuptova se ata kishin bërë më të mirën që dinin. M’u kujtuan të gjitha mënyrat se si më kishin inkurajuar dhe më ndihmuan të bëhem personi që jam sot.

Po kështu, kujtova përsëri kohën time në shkollë dhe kuptova se shumë nga ato që kisha përjetuar, vareshin nga unë vetë. Unë isha e trembur dhe kisha frikë të provoja gjëra të reja. Kisha frikë të dilja dhe të ndërmerrja rreziqe. Më së shumti ishin pasiguritë e mia ato që më pengonin në rrugën e suksesit tim akademik dhe shoqëror.

Kur kujtova vitet që kalova duke shkuar në kishën e vogël të pavarur të familjes sime, sigurisht, kujtova edhe thashethemet dhe disa lëndime që kishin mbetur ende brenda meje; por duke pasur një jetë shumë të gjatë, kuptova se sa e thjeshtë është të fajësosh situatën apo institucionin, kur në realitet kisha marrë një themel të mrekullueshëm të besimit, dhe po aq shpesh anëtarët e kongregacionit atje më kishin ndihmuar dhe kishin qenë shembuj të krishterimit të vërtetë.

Është e rëndësishme të mos ngecni në situata fajësie. Jeta ime nuk ka qenë e përsosur. Unë kam marrë disa vendime me të cilat kam lënduar veten dhe nganjëherë më kanë lënduar të tjerët. Por nuk ishte jeta ime në shtëpi, shkolla ose kisha përgjegjëse. Ishin individë. Dhe kur kujtova individët, pashë një grua të pikëlluar pasi fëmija i saj i madh kishte vdekur; një grua të moshës e mesme aspak të lumtur që e kishte kaluar kohën e saj duke u kujdesur për një nënë dhe emtë të moshuar që kishin sëmundje të shumta; një drejtues i ri të sapodalë nga shkolla, i cili mendonte se ishte ekspert i adoleshentëve, por thjesht kishte nevojë për pak më shumë përvoja të jetës; dhe një mësues të rraskapitur dhe të stresuar matematike, gruaja e të cilit gjendej e shtruar me muaj të tërë në spital për shkak të shtatzënisë. Këta njerëz kanë bërë gabime, ashtu siç kam bërë edhe unë gabime gjatë rrugës të jetës sime.

Është shumë e thjeshtë të nxjerrësh përfundime dhe të bësh përgjithësime në lidhje me përvojat tona dhe njerëzit, që gjejmë justifikime për t’i hedhur fajin. Por një analizë serioze e vetvetes mund të japë një pasqyrë se pse ndodhën gjërat. Në moment, mund të mos e kuptojmë pse dikush reagoi në mënyrën si veproi, por të shohësh pas në kohë me mirëkuptim na ndihmon të kemi një pamje më të qartë dhe ta gjejmë lirinë në falje.