Është e lehtë të jesh njeri i mirë, por gjithsesi i mbyllur në botën tënde të vogël. Në fund të fundit, keni më shumë punë dhe përgjegjësi nga sa mendoni se mund të përballoni. Nuk është çudi që keni pak kohë për të ndihmuar të tjerët.

Kur isha në tokë, edhe Unë isha i zënë, sidomos gjatë shërbesës publike. Kisha vetëm 3 vjet e gjysmë për të përmbushur misionin Tim, por prapë gjeta kohë për njerëzit – edhe për disa rreth të cilëve mendohej se nuk e meritonion kohën Time. Lejova fëmijët të vinin tek Unë. Fola me gruan Samaritane tek pusi. Pashë Zakeusin të hipur në një pemë dhe i kërkova ta kaloja mbrëmjen me të në shtëpinë e tij. Gjeta kohë gjithashtu për të inkurajuar mijëra të tjerë – biseda të panumërta dhe në dukje të zakonshme, që nuk gjenden tek ungjijtë, por secila kishte një ndikim të madh në jetën e njerëzve. Nëse Unë munda ta gjej kohën për t’u treguar pak dashuri, mirësi e mirëkuptim njerëzve rreth Meje, atëherë mund ta bëni edhe ju.

Kur jepni dashuri në gjëra të vogla, Unë do t’ju jap më shumë nga dashuria Ime, kështu që do të keni më shumë për të dhënë dhe më shumë për të shijuar. Do shikoni se kjo “shtesa” që dhuroni nuk përbën sakrificë. Sepse Unë do t’ju jap më tepër frymëzim dhe bekim, dhe po ashtu do ju japin edhe ata për të cilët keni gjetur kohën.