Me zërin që i dridhej, im bir më tha: “Mami, nuk e di çfarë po ndodh. Sapo shpërngula familjen për një punë të re, por nuk u bë e mundur!”

Bëra gjithçka munda për ta inkurajuar, por ndërsa koha kalonte po kuptoja se nuk po e kaloja dot atë mur ankthi.

Pasi e mbylla telefonin, nuk e hiqja dot nga mendja situatën e tim biri. Përfundimisht, lashë gjithçka tjetër dhe nisa të lutem për atë çfarë po kalonte. Im bir dhe bashkëshortja e tij janë Kristianë aktivë dhe prindër të rinj e të përgjegjshëm. E dija që ai do të bënte të pamundurën për të mbajtur familjen, por e dija gjithashtu se kriza ekonomike botërore e bën më të vështirë se zakonisht gjetjen e një pune të mirë.

Ndërsa lutesha për të, më vinin ndër mend fjalët e para të Psalmit të Parë dhe e dija se këto vargje ishin çelësi për tim bir. “I bekuar është ai që nuk ecën përkrah të këqijve apo ndjek rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por ai që kënaqësinë e gjen në ligjin e Zotit, dhe ai që mediton mbi ligjin e Tij ditë edhe natë. Ai njeri është si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, e cila jep frutin e saj gjatë stinës dhe gjethja e së cilës nuk vyshketçdo gjë që ato bëjnë, ka mbarësi.” 1

“Zoti është dashuri,” 2 dhe marrëdhëniet e Tij me ne janë të përzemërta. Ai gjithmonë përpiqet të na afrojë pranë Vetes. Ai lejon të na ndodhin vështirësi dhe të hasim pengesa, por nëse zemra jonë është në rregull me Të, atëherë ne jemi si ato pemët e mbjella përgjatë lumenjve të ujit dhe do të japim fryte në kohën e duhur.

Mendoni pak ciklin e jetës të një peme frutash. Ndonjëherë ajo nuk rritet; të gjitha gjethet mund t’i bien dhe ajo mund të duket e tharë. Por ka raste të tjera kur pema shpërthen me fruta dhe bollëk.

Në të njëjtën mënyrë, edhe ne kalojmë nëpër ciklet e jetës. Ka raste kur jemi në një moment të shkëlqyeshëm dhe gjërat s’mund të shkojnë më mirë. Pastaj ka raste kur gjërat marrin tatëpjetën dhe na duhet të luftojmë për të qëndruar optimistë. Në raste të tilla më pëlqen të mendoj për një nga premtimet e mia të preferuara nga Fjala e Zotit: “Mos e hidhni tej guximin tuaj, i cili ka një shpërblim shumë të madh. Për këtë ju duhet durim, kështu që pasi keni përmbushur vullnetin e Zotit, mund ta keni premtimin.” 3

S’po më pritej sa të shkoja tek telefoni dhe të ndaja këto mendime me tim bir. Në fund u lutëm së bashku që të çlirohej nga dekurajimi dhe shqetësimi.

Im bir dhe bashkëshortja e tij filluan të luteshin çdo ditë për një punë të re dhe ndërkohë ai bënte çdo punë të përkohshme që gjente. Brenda gjashtë muajsh, arriti të gjente një punë të mirë në një kompani paisjesh elektronike dhe pas një viti u ngrit në detyrë dhe u bë zëvendëspresident i së njëjtës kompani.

U përball me disa pengesa madhore, por Zoti iu gjend pranë. Edhe pse është shumë i zënë dhe me një karrierë plot sfida, ai vazhdon të gjejë kohë për Zotin dhe për të lexuar Fjalën e Tij, sepse e di që ky është çelësi i lumturisë dhe i suksesit.

  1. Psalmet 1:1–3
  2. Gjoni 4:8
  3. Hebrenjtë 10:35–36