Kur isha në semestrin e dytë të vitit tim të parë të universitetit, unë dhe disa shokë të krishterë, që i kisha në klasë, nisëm të shqetësoheshim se besimi ynë po humbte, mes detyrave, miqve, klubeve dhe aktiviteteve tona të preferuara. Nuk donim që besimi të ishte vetëm një aktivitet fundjave dhe më pas, e linim mënjanë kur i  ktheheshim ritmit emocionues dhe plot angazhime të jetës universitare të hënën. Problemi krijohej nga fakti që disa prej nesh tani jetonin shumë larg kishave dhe miqve që kishim, ndërsa të tjerë po jetonin me familje, të cilat s’ishin besimtare.

Dikujt i lindi ideja të mblidheshim dy herë në javë për drekë, që të luteshim dhe të shkëmbenim ide si ta mbanim gjallë besimin tonë. Na dukej si hap i vogël, por megjithatë, unë rashë dakord ta provonim. Dyshoja shumë nëse kjo do të na ndihmonte vërtet ta bënim Jezusin një pjesë më të rëndësishme të jetës sonë. Vendosëm të takoheshim të hënave dhe të mërkurave.

Zakonisht, fillonim duke kënduar disa këngë. Më pas, disa shpërndanin leksionet shpirtërore që po mësonin, ndërkohë që të tjerë flisnin mbi lutjet e dëgjuara apo prekjet e veçanta të dashurisë së Zotit në jetët e tyre. Herë të tjera, diskutonim mënyra si të gjenim kohë për lutjet dhe studimin e Biblës në jetën e trazuar dhe të ngutshme të jetës universitare, apo si të nisnim biseda mbi Jezusin me miqtë tanë. Më pas, shkëmbenim kërkesa lutjeje, të cilat radhiteshin nga provimet që afronin, marrëdhënia me familjarët tanë, deri te vendimet e karrierës. Këto takime ku flisnim për Jezusin në kontekstin e shqetësimeve dhe problemeve të përditshme më kujtonin sa shumë do Jezusi të jetë aktiv në jetën time dhe më frymëzoi të investoja më shumë kohë në forcimin e marrëdhënies time personale me Të.

Para se t’i nisnim këto dreka, shoqëria jonë ishte e përqendruar më shumë te studimet dhe aktivitetet tona në klasë, por siç vazhduam të shoqëroheshim, krijuam lidhje më të thella, për shkak të besimit tonë të përbashkët. Në vend që të ndiheshim të izoluar dhe çuditshëm mbi besimet tona, ne e inkurajuam njëri-tjetrin, sepse ishim një skuadër me një qëllim të përbashkët: të “hedhim tej çdo barrë e mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur.” 1 Për më tepër, duke ditur se kishim miq që gjithashtu i vlerësonin të vërtetat shpirtërore krijonte një atmosferë pozitive, motivuese që na frymëzonte të kërkonim mënyra për t’i rigjallëruar shpirtrat tanë gjatë rutinave tona të përditshme, duke dëgjuar versionin audio të Biblës gjatë takimeve tona, duke i lexuar të tjerëve ndonjë material frymëzues e shpirtëror mes orëve.

I ruaj me fanatizëm kujtimet e lumtur të atyre takimeve, sepse aty mësova se ka gjithmonë një mënyrë për të përfshirë Jezusin në jetën time, pavarësisht sa e zënë jam apo sa të ngjeshur e kam agjendën. Të kërkosh ndërveprim me ata që ndajnë të njëjtat bindje ma forcon përkushtimin të jem një dishepull i Jezusit. Sa më shumë i gjej parimet e Tij të zbatuara në betejat e mia të përditshme dhe shikoj mënyrat e mrekullueshme, me të cilat Ai punon në jetët e vëllezërve dhe motrave të mia të besimit, aq më pak jam e pritur ta lë veprimtarinë me Jezusin për fundjavë.

  1. Hebrenjve 12:1