Një nga dhuratat e para që mbaj mend të kem marrë ishte një set bojrash uji. Më pas më erdhi një set bojrash vaji, një kavalet dhe pak telajo. Më kujtohet “kryevepra” ime e parë, e pikturuar në moshën 11–vjeçare gjatë pushimeve verore në mal. M’u deshën ditë dhe rezultati nuk ishtë dhe aq mahnitës, por ndjesia e realizimit të saj ishte e pakrahasueshme.

Vitet pasuese të adoleshencës sime ishin një përzierje hobesh, art, muzikë, politikë e çfarëdo tjetër. Më pas u martova dhe fillova të udhëtoj. Nuk ishte praktike të merrje me vete mjetet e pikturës–dhe përveç kësaj, kush kishte kohë të pikturonte? Telajo e fundit që pikturova ishte një perëndim dielli në Siçili kur isha shtatzënë me fëmijën tim të parë.

Më pas, nuk pikturova asgjë tjetër për shumë vite.

Kur fëmijët e mi ishin të vegjël, i nxisja të vizatonin dhe im bir Marku shfaqte një prirje të veçantë për pikturën dhe në fund u bë një karikaturist. Ai më pyeste shpesh, “Ma, pse nuk fillon të vizatosh dhe të pikturosh sërish?”

Një herë, në fund të një vizite, ai më pyeti sërish nëse mund të vizatoja diçka për të dhe pranova. M’u duk sikur kishte kaluar një përjetësi që nga muzgu i Siçilisë dhe sikur e kisha për herë të parë! Me zor mbaja furçën dhe m’u desh kohë të rikujtoja teknikat bazë të ngjyrosjes. Përfundova pikturën–kryesisht për të kënaqur tim bir–dhe më pas po mendoja t’i largoja sërish pajisjet, por 2 muaj më vonë, disa miq më kërkuan t’i ndihmoja për të pikturuar një mur me përmasa 6X8 metra.

M’u duk shumë e vështirë dhe përveç kësaj, më duhej të pikturoja në lartësi! Por rezultati ishte i mirë dhe u bë fillimi i një hobi të ri për të pikturuar muret e shkollave, spitaleve, qëndrave rinore dhe shtëpive private.

Tani më pëlqen të transformoj çdo vend gri e të vjetër në ambient të gëzueshëm me ngjyra festive. Një herë, një pacient i moshuar më tha se duke parë fëmijët që “buzëqeshnin vazhdimisht” në murin pranë shtratit të tij, ai nuk ndihej i vetmuar! Ata “fëmijë të gëzuar” s’ishin gjë tjetër veçse vepër e penelave tanë.

Unë mendoj se çdokush ka një pasion të fshehur, të lënë në harresë, që pret të rizgjohet siç u rizgjua pasioni im për pikturën duke parë reagimet e atyre njerëzve, kur shihnin ambientet e tyre të transformuara. Tani, pikturat e mia janë gati, për murin tjetër gri.