Për të krishterët, suksesi nuk mund të çmohet vetëm nga paratë. Nuk bëhet fjalë të bëhesh njeriu më i famshëm apo më i pasur, por të përdorësh talentet që Zoti na ka dhënë për të shfrytëzuar aftësitë tona më të mira. 1 Personi që jep gjithçka nga vetja, është ai që është vërtet i suksesshëm.

Si e arrini këtë?

Kur Mbreti David ishte në prag të vdekjes, ai i dha djalit të tij, Solomon, këshillën në vijim: “Respekto urdhrat e Zotit, Perëndisë tënd, duke ecur në rrugët e tij, duke zbatuar në praktikë statutet e tij, urdhërimet e tij, dekretet e tij dhe porositë e tij, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me që ti t’ia dalësh mbanë në të gjitha gjërat që do të bësh dhe nga çdo anë që të kthehesh.” 2 Formula e Davidit për sukses ishte të ndiqte Zotin dhe t’i bindej Atij, gjë që kërkonte përpjekje nga ana e Solomonit.

Përpjekje?

Del se puna vlerësohet shumë në Bibël. Zanafilla përshkruan se si në fillimin e hershëm, Zoti punoi për gjashtë ditë me radhë për të krijuar botën, dhe kur Ai pa se kishte bërë një punë të mirë, ndjeu kënaqësi nga përfundimi. 3 Jezusi tha se Ai kishte ardhur të përfundonte veprat e Atit të Tij. 4 Dhe na u tha se puna që ne do të bëjmë në tokë, do të vlerësohet dhe shpërblehet nga Zoti. 5

Pra, sa më shumë të punosh, aq më i suksesshëm do të jesh?

S’është e thënë. Por sidoqoftë, Jezusi nuk do që puna jonë të na bëjë të ndihemi në trysni apo tension. Ai tha, “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.” 6

Po sikur të ndiheni tashmë të tensionuar?

Ai mund t’ju ndihmojë edhe me këtë! “Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit. Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur” 7

  1. Shih Mateu 25:14–30.
  2. 1 i Mbretërve 2:3
  3. Shih Zanafilla 1:31.
  4. Shih Gjoni 9:4.
  5. Shih 1 e Korintasve 3:13–15.
  6. Gjoni 14:27
  7. Isaia 40:29–31