Sapo kishim mbaruar një program për 300 të burgosur adoleshentë te qendra e riedukimit në Indinë veriore, dhe shumë prej djemve u mblodhën përreth nesh. Tema e programit tonë atë ditë qe rëndësia e besimit përballë vështirësive. Ishte një temë me të cilën ata ndiheshin të identifikuar, veçanërisht me pjesën e vështirësive.

Më kapi syri një djalosh të dobët  që po qëndronte në qoshe. E dalloja që donte të fliste por ishte shumë i ndrojtur për të bërë lëvizjen e parë, kështu që unë u prezantova i pari dhe i kërkova të më fliste rreth vetes. Më shpjegoi se ishte nga një fshat rreth 900 km larg, dhe se kishte ardhur në qytetin e madh në kërkim të punës. Nuk kishte para kur ishte kapur duke udhëtuar pa biletë në tren dhe u dënua me tre muaj burg.

“Disa ditë më parë,” më tha, “isha i sëmurë me temperaturë të lartë. E vetmja gjë që mund të bëja, ishte të rrija shtrirë në qoshe. Mezi arrija të lëvizja. Nuk kisha qenë ndonjëherë aq i sëmurë më parë dhe sinqerisht, mendova se do të vdisja. Isha shumë i frikësuar! Mendova për prindërit dhe vëllezërit e mi në shtëpi. Kisha në mënyrë të dëshpëruar nevojë për dikë që të rrinte dhe të kujdesej me mua, por isha këtu, larg shtëpisë, i vetëm. Fillova të qaja dhe i kërkova Zotit që të mos më linte të vdisja.

“Në atë moment, ndodhi diçka shumë e çuditshme. Hapa sytë dhe një burrë me rroba të bardha po qëndronte pranë meje. Ai kishte sytë më miqësore që kisha parë ndonjëherë. Ai nuk tha asnjë fjalë, por vetëm më lëkundi dorën mbi mua dhe temperatura m’u ul. Ndihesha i freskët dhe i qetë. Burri u zhduk dhe nuk e pashë më kurrë.  A e dini sesi quhej ai burrë?”

Pashë në çantën e materialeve frymëzuese që kisha sjellë me vete derisa gjeta një afishe me konceptin e një artisti për Jezusin dhe e pyeta, “Ky burri ishte?”

Ai vuri buzën në gaz dhe tha, “Ah, po! Ky burri ishte! Si quhet?”

I fola rreth Jezusit, dashurisë së Tij të mrekullueshme, dhe fuqisë së Tij për të shëruar, dhe atë pasdite djaloshi i ri u lut të merrte Jezusin si Shpëtimtarin e tij. Ishte një kujtesë e bukur e sa shumë kujdeset Zoti për gjithsecilin nga fëmijët e Tij. Ne nuk jemi kurrë vetëm.