“Zoti është ati yt,” tha i riu. “Ai erdhi në tokë, për Krishtlindje në formë njerëzore. Përmes Jezusit, që të dish se si është Zoti.” Ai më pa me sy plot shpresë, por unë nuk u binda. “Ati shqetësohet,” vazhdoi ai.  “Ati kujdeset për ty dhe është gjithmonë pranë.”

E vështrova dhe tunda kokën. Ai e kishte gabim. Im atë nuk u shqetësua kurrë, asnjëherë nuk u kujdes për mua dhe nuk qe kurrë pranë. U largua kur isha tre vjeç dhe kjo më shënjoi dhe më plagosi zemrën. Mamaja bëri një punë të shkëlqyer, por Ati…? Jo, nuk ia kisha idenë si ishte të kishe një baba.

“Që Zoti është Ati im, nuk ka asnjë kuptim për mua!” iu përgjigja. “Nuk kam pasur kurrë një të tillë.”

Tani, i riu më vështroi ngulazi. Mund ta shihja tek mendonte se isha një rast i pashpresë. Dhe në fakt, isha goxha i pashpresë. Sa më parë që munda, u largova nga atdheu im Holanda, në kërkim të së vërtetës dhe lumturisë dhe arrita në Francë. Por deri më tani, kisha gjetur vetëm vetmi.  Isha i pisët, i uritur, kisha ftohtë dhe mbi të gjitha, isha jetim.

S’ishte çudi që i riu nuk dinte çfarë të bënte me mua. Ai pëshpëriti “Gëzuar Krishtlindjen” dhe u largua me nxitim.

Jo se unë kisha ndonjë problem me Jezusin. Të gjitha që kisha dëgjuar për Të, ishin gjëra të mira. Ai ishte i mirë, Ai shëronte të sëmurët, Ai falte njerëzit. Nuk do e kisha problem ta njihja Atin e Tij. Por Si?

Dëgjova kambanat e kishës dhe kuptova që ishte Prag Krishtlindjeje. Të shkoj në atë kishë të vogël fshati që të mund t’i largohem të tashmes sime të errët, qoftë edhe për një moment? Shkova!

Dritat e vogla dhe këngët më mblodhën shpirtin. Dhe edhe pse, nuk e kuptoja lutjen, duke qenë se ishte në frëngjisht, mendimet e mia më çonin drejt Zotit.

Ishte aty Ai? A më kuptonte?

Zot, ata thonë se Ti je Ati. Unë nuk e di se ç’do të thotë.

Mbylla sytë dhe vështrova në mosqenien time.

Dhe pas, aty kishte dritë. Ndriçoi në errësirën time dhe më preku, e ngrohtë dhe gjallëruese, e paqtë, e qetë dhe padyshim e vërtetë.

Më pas, një zë i foli zemrës sime. Jo i dëgjueshëm, por i qartë dhe i dallueshëm, i vendosur dhe plot dashuri. Unë jam Ati i jetimëve.

Mbeta pa fjalë. Aty, i rrethuar nga njerëz që nuk i kisha takuar kurrë dhe gjuhën e të cilëve mezi e flisja, mësova se Ati im është vërtet gjithmonë i pranishëm dhe që Ai më do si asnjë Atë tjetër nuk mundet të më dojë.

* * *

Doni që Zoti të jetë gjithashtu edhe Ati juaj? E vetmja gjë që duhet të bëni, është ta ftoni Atë:

Të lutem, eja në jetën time dhe më mbush me dashurinë dhe dritën Tënde. Më ndihmo të mësoj më shumë rreth Teje dhe Birit tënd, Jezusit. Amen.