Dëgjohet e qara e parë e fëmijës, pritet kordoni i kërthizës, dhe prindërit krenarë dhe gjithë të pranishmit e tjerë, qofshin obstetër apo mjekë shoqërues në një spital shndritës apo një mami fisi në një kasolle kashte, ngazëllehen me mrekullinë që sapo dëshmuan. Lindja e Jezusit në Krishtlindjen e parë ishte kështu, por gjithashtu përfshiu të paktën tetë mrekulli të tjera.

Lajmërimi Engjëllor

Fillimisht, lindja e Jezusit u lajmërua para se Ai të ngjizej. “Zoti dërgoi engjëllin Gabriel në qytetin e Nazaretit, në Galile me një mesazh për një virgjëreshë, që quhej Mari. Ajo ishte e fejuar me Jozefin nga familja e Mbretit David. Engjëlli përshëndeti Marinë dhe i tha, “Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty.” Më pas, engjëlli i tha Maris, “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezu.’” 1 Mrekullia numër një.

Ngjizja e mrekullueshme — Hera e dytë

Sigurisht që është një nga mrekullitë më të njohura dhe më të shquara, periudha e ngjizjes së Jezusit. Nëna e tij, Mari, ishte një virgjëreshë. Bibla e tregon shumë qartë këtë:

“Mari e pyeti engjëllin, ‘Por si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?’ Engjëlli iu përgjigj, ‘Shpirti i Shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë.’” 2

Kjo ngjarje ishte parashikuar 700 vite më parë nga profeti Isaia: “Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajë Emanuel. [‘Zoti është me ne,’ në hebraisht].” 3 Në çdo kuptim, Jezusi është Biri i Zotit. Mrekullia numër dy.

Gabrieli gjithashtu i tha Maris, se kushërira e saj Elizabeta, e cila kishte qenë shterpë dhe tani e kishte kaluar moshën e lindjes së fëmijëve, do të lindte një djalë: “Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t’i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur. ” 4 Elizabeta lindi një djalë, i cili ishte Gjon Pagëzoritt. Gjithçka ndodhi siç paralajmëroi Gabrieli. 5 Mrekullia numër tre.

Konfirmimi Engjëllor

Po Jozefi, i fejuari i Maris? Çfarë mendoi ai kur Mari u kthye nga vizita që i bëri Elizabetës dhe zbuloi se ajo ishte tre muaj shtatzënë? Siç pritej, reagimet e tij të para ishin të përziera. “Por, meqenëse, Jozefi, burri i saj, ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta turpëronte, vendosi ta ndante fshehurazi.” 6

Jozefi donte të shmangte poshtërimin dhe vdekjen e mundshme të Maris, ndëshkimin për tradhti sipas ligjin hebre 7, por mund të imagjinojmë dhimbjen që ai duhet të ketë ndier, duke besuar që e fejuara e tij po priste fëmijën e një burri tjetër.

Në këtë moment, Zoti i dërgoi një engjëll edhe Jozefit, për ta siguruar dhe ngushëlluar atë, si edhe pa dyshim për t’i sqaruar situatën. “Një engjëll i Zotit iu shfaq atij në një ëndërr dhe i tha, ‘Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i Shenjtë. Ajo do të lindë një djalë, dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.’ 8 Kur u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori Marinë për grua, por nuk pati marrëdhënie me të, derisa ajo lindi të birin, të cilit Jozefi i vuri emrin Jezu.” 9 Mrekullia numër katër.

Vendlindja

Ishte një përmbushje e mrekullueshme e profecisë së Dhiatës së Vjetër që Jezusi të lindtë në Betlem, edhe pse prindërit e Tij jetonin në Nazaret, një vend disa ditë rrugë larg. “Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael.” 10

Perandori romak August Çezari kishte urdhëruar që do të zhvillohej një regjistrim në mbarë perandorinë, dhe tradita hebre kërkonte që për një çështje të tillë, çdokush të kthehej në vendin që e konsideronte vendin e të parëve. Për Jozefin, një pasardhës i drejtpërdrejtë i Mbretit David, kjo do të thoshte të kthehej Betlem me gruan e tij shtatzënë, dhe ajo lindi Jezusin pak pasi ata mbërritën. Mrekullia numër pesë.

Lajmërimi Engjëllor

Barinjve që po kujdeseshin për dhentë e tyre në kodrat përreth Betlemit, i vizitoi një engjëll, që u tha, “‘Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: Sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju, një shpëtimtar që është Krishti Zot. Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbështjellë në pelena dhe të shtrirë në grazhd.’ Papritur, bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore, që lavdëronte Perëndinë kështu: ‘Lavdi i qoftë Perëndisë, në lartësitë qiellore dhe paqe në tokë njerëzve që ai i ka për zemër!’” 11

Barinjtë lanë tufat e tyre dhe shkuan në Betlem, ku gjetën Jezu Krishtin fiks siç u tha engjëlli. “Kur e panë, shpallën çfarë u qe thënë për foshnjën.” 12 Kjo do të thotë se, që nga dita e parë e jetës së Tij në tokë, ka njerëz që dëshmojnë fakti se Jezu Krishti më në fund kishte ardhur. Mrekullia numër gjashtë.

Shenja nga qiejt

Të mençurit (sipas traditës ishin tre, por Bibla nuk e specifikonte sa) nga Lindja (Bibla gjithashtu nuk e specifikon ku në Lindje, por më shumë mundësi në Arabi, Persi, Babiloni, ose madje në një vend të largët si India) vunë re një ndodhi të pazakontë në qiej, të cilën e interpretuan si lindjen e “Mbretit të Hebrenjve,” dhe shkuan që ta nderonin Atë.

Udhëtimi në ato ditë ishte e vështirë dhe e ngadaltë, dhe bazuar në Shkrime të tjera, mund t’i ketë marrë të mençurve deri në dy vite përgatitje dhe udhëtime para se të arrinin në Juda dhe t’i jepnin dhuratat e tyre Jezusit. “Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija. Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë. Si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, e ranë në gjunjë dhe e adhuruan. Pastaj, hapë thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, temjan dhe mirrë.” 13 Mrekullia numër shtatë.

Më e mira nga Përtej

Mrekullia supreme e Krishtlindjes, gjithsesi, nuk është tek engjëjt, burrat e mençur, apo një shenjë në qiell. Është tek Biri i vetëm i Zotit që merr formën e një fëmijë të pafuqishme dhe të pashpresë në mënyrë që të kuptojë dhe simpatizohet me ne në një mënyrë unike përmes gjithçkaje që Ai vuajti dhe përjetoi, dhe në fund, vdiq për mua dhe ty. “Perëndia na dha jetën e amshuar dhe kjo jetë është në Birin e tij.” 14

  1. Luka 1:26–28,30–31
  2. Luka 1:34–35
  3. Isaia 7:14
  4. Luka 1:36–37
  5. Shih Luka 1:5–25,57–66.
  6. Mateu 1:19
  7. Shih Ligji i Përtërirë 22:13–14, 21.
  8. Jezus në formën greke Joshua, e cila do të thotë Zoti shpëton.
  9. Mateu 1:20–21,24–25
  10. Mikea 5:2
  11. Luka 2:10–14
  12. Luka 2:17
  13. Mateu 2:9–11
  14. 1 Gjonit 5:11