Mund të më dëgjoni duke përplasur enët në kuzhinë. Duke përplasur dyert dhe duke kërcitur qelqurinat, kur me nxitim marr enët nga vendet e tyre. Duke kërcitur me zhurmë, e vë ibrikun në sobë. Mami është në kuzhinë dhe të gjithë e dinë që duhet të rrinë jashtë saj, derisa të mbaroj punë.

Sigurisht që, do të mbaroj punë shpejt. Mësova shumë kohë më parë se çelësi për të përfunduar një punë, për të cilën nuk ke qejf ta bësh, është ta bësh shpejt atë. Ndaj, i bëj me nxitim punët, duke ditur se pak zhurmë ia vlen për “Të Mbaruar Punë”.

Ka raste kur investoj shumë përpjekje në gatimin tim. E planifikoj për ditë me radhë, studioj recetat, përgatis listat dhe mbledh përbërësit. Gjithçka që mund të bëhet para kohës së planifikuar përfundon shpejt dhe shërbehet nëpër pjata të bukura. Por vaktet e zakonshme nuk janë të tilla! Në një mbrëmje të zakonshme, mund të fitoj çmime të shumta për sjelljen e ushqimit në tavolinë në kohë rekord. Hape rrugën! Po kaloj!

Natyrisht, hap edhe ndonjë telash. Pjatat e thyera dhe gishtat e djegur nuk janë ndonjë gjë e re. As ndjenjat e lënduara. “Nuk pret dot një minutë sa të mbaroj punë këtu?”- hungëroj unë me një buzëqeshje të shtirur. Dhe e kam seriozisht. Do të mbaroj brenda një minute, nëse të gjithë më lënë të qetë dhe nuk më pengojnë.

E mbarova darkën në kohë. E pastrova kuzhinën. Shërbeva ushqim të shëndetshëm. Por mungon diçka dhe duhet ta zgjidhim.

Kur fëmijët e mi ishin të vegjël, kisha një regjistrues zëri dhe një koleksion disqesh klasike në kuzhinë. Të jesh një nënë që punon, me një familje të madhe që ka nevojë për organizim dhe ushqyerje, të bën të kesh gjithmonë shumë gjëra në kokë. Muzika klasike më ndihmonte të ngadalësoja dhe të ngrija humorin ndërkohë që përgatisja ushqimin. Do të nxirrja një pjatë me perime të pa gatuara apo një sallatë, dhe nëse ndonjë parashkollor i uritur shfaqej në derën e kuzhinës, në pamundësi të priste edhe një minutë, i thoja që t’i përgatiste vetë perimet.

Ndoshta, duhet t’i ndryshoj zakonet e mia të punës. Me shumë gjasa, po humbas momente që në të vërtetë duhet t’i shijoja. Edhe nëse darka vonohet disa minuta dhe kuzhina nuk është e pastër në përsosmëri, duhet vërtet të ngadalësoj punën dhe të shijoj aromat e ushqimit ndërkohë që gatuhet. Ndoshta, duhet të pranoj ofertat e të tjerëve për të ndihmuar dhe ne mund të qeshim e të çlodhemi së bashku.