Statuja e vogël e një engjëlli që kishte kapur për dore një djalë të vogël, ishte vendosur në një vend jo të dukshëm në raftin e një dyqani antik. Ishte mbuluar me pluhur, e humbur mes rrëmujës së kavanozëve, enëve dhe zbukurimeve. Një burrë, që po i hidhte një sy dyqanit e pa statujën dhe i lindi një ide: Ai do ta nxirrte nga harresa dhe do ta vendoste atje ku duhej, në një vend nderimi mes zbukurimeve të Krishtlindjeve.

Në shtëpi në punishten e tij, burri e leu statujën me bojë të bardhë me shkëlqim. Pastaj leu krahët e engjëllit dhe flokët e djaloshit të vogël me ngjyrë floriri vezulluese. Çdo furçë që i jepte sikur bënte magji. Statuja e vjetër dhe e ndotur u zhduk dhe u shfaq një statujë e re e ndritshme. Statuja u transformua para syve të tij në një bukuri rrezatuese.

Ndërsa pikturonte, burri mendoi, a nuk u ndodh e njëjta gjë edhe njerëzve për Krishtlindje? Ata vijnë në fund të vitit të mbuluar me pluhurin e përpjekjeve një vjeçare. Dhe Krishtlindjet i frymëzojnë të rilyejnë veten me dashuri, gëzim dhe paqe.

Arti i lyerjes së engjëllit! Kjo është detyra e gjithë jetës sonë: të mos rrimë kurrë në baltë dhe pluhur, por të ngrihemi me heroizëm pas çdo rënie.

Të rilyejmë engjëllin! Nuk duhet heqim dorë kurrë nga ëndrrat, idealet dhe synimet tona. Mund t’i bëjmë të shkëlqejnë sërish me lavdinë e një shprese të re.

Kjo histori më bën të mendoj sesi jeta merr një shkëlqim të veçantë për Krishtlindje. Fillon me mrekullinë e një foshnjeje të vogël që erdhi duke mbartur një mesazh dashurie dhe shprese. Për familjarët, ajo vazhdon me lumturinë dhe atmosferën e gëzueshme që krijohet me të dashurit e tyre. Për të gjithë njerëzit, qofshin vetëm ose jo, shkëlqimi arrihet kur sjellim ndër mend çfarë Jezusi ka bërë për ne dhe e falenderojmë për të mirat që na ka dhënë.

Krishtlindjet janë të veçanta sepse gjatë kësaj feste gëzojmë, jo vetëm për atë që Jezusi ka bërë për mbarë botën, por edhe për atë që ka bërë për ne personalisht. Ai ka “ringjyrosur” jetët tona me cilësi të reja që s’do t’ia kishim dhënë dot vetes. Ai na ka mbushur me dashurinë e Tij. Ai na ka dhënë paqe siç premtuan engjëjt. Ai na ka falur të gjitha mëkatet dhe dështimet tona dhe tani Ai na pranon si fëmijët e Tij. Ai na bën të ndiejmë gëzimin që vetëm Ai di ta sjellë. Ne transformohemi gjatë Krishtlindjeve.