Takimi im i parë me Nadian ndodhi para shtatë vitesh. Një shoqe e solli në shtëpinë tonë në orën 10 të natës. Fytyrën e kishte të zbehtë; sytë të përhumbur dhe pa jetë; flokët të thatë dhe të hollë edhe pse nga sa dukej, dikur duhet të jetë kujdesur shumë për ta. Rrobat, shprehja e fytyrës dhe qëndrimi i saj, tregonin qartë pa qenë nevoja që ajo të fliste se kishte humbur çdo shpresë.

Mësova se vetëm një vit më parë, Nadian e kishin patur zili të gjitha femrat në lagje; e bukur, nga një shtresë e lartë shoqërore, një bashkëshorte prej 30 vitesh dhe nëna “e përkryer” e dy vajzave, që jetonte në një shtëpi të madhe e të bukur dhe që organizonte shumë festa për miqtë e saj. Por kjo ishte një e kaluar e largët e Nadias, e cila rrinte ulur në hollin tonë duke mbajtur fort dorën e shoqes së saj. Jeta e saj kishte ndryshuar shumë. Bashkëshorti e kishte lënë dhe biznesi i tyre i përbashkët po falimentonte. Këstet e kredisë së shtëpisë së tyre nuk ishin paguar për shumë muaj dhe banka po përgatitej t’ia konfiskonte.

Bashkëshorti i Nadias ishte përpjekur ta nxirrte me probleme mendore në mënyrë që të kishte kontroll të plotë mbi pronat dhe biznesin. Pas prishjesh së martesës, Nadia mendoi se bota u shemb. Madje, edhe shëndeti i saj u përkeqësua shumë duke pësuar dhe një atak në zemër. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, shumica e miqve të saj ishin papritur shumë të zënë me punë për t’iu gjendur pranë.

Nadias i kishte mbetur pak besim që nga fëmijëria, kur besonte se ekzistonte një Zot “diku larg” siç u shpreh ajo. Tani e kuptoi se pa praninë e Tij në jetën e saj, ajo nuk do të ishte në gjëndje t’i kapërcente këto sfida. Lutja e parë që bëmë bashkë ia ngriti pak moralin dhe nga fundi i bisedës sonë pohoi se do të ndiqte rregullisht mësime mbi Biblën.

Në muajt që pasuan, besimi i saj u rrit dhe nëpërmjet lutjeve ajo arriti të gjente përgjigje për dyshimet e saj, mendimet e trishtuara dhe për dëshirat që ajo kishte. Progresi ishte i ngadaltë, dhe disa ditë ishin më mirë se të tjerat. Kaloi dy vjet me ulje dhe ngritje, por Nadia nuk e humbi kurrë shpresën dhe përparonte gjithmonë drejt një të ardhmeje më të mirë.

Me kalimin e kohës, Nadia rigjeti dëshirën për të jetuar, për të punuar dhe për t’u kujdesur për familjen e saj, për të qenë një shembull i mirë për vajzat e saj. Ndërkohë që të tjerët mendonin se ajo që i ndodhi asaj ishte një tragjedi, ajo tani e shihte si një shembull që tregon sesi Zoti mund të kthejë çdo gjë për mirë në jetën tonë. 1 Sepse pa kaluar atë krizë të thellë dhe rrënimin e botës së mëparshme, ajo nuk do të mund ta kishte njohur kuptimin e vërtete të dashurisë së Zotit për të dhe s’do të kishte gjetur kuptimin e vërtete të jetës së saj. Ajo i riorganizoi prioritetet e saj në një formë të re: Tani, Jezusi ishte i pari.

Problemet financiare dhe familjare të Nadias nuk janë zgjidhur ende. Pas shtatë vitesh, lufta për të mbajtur shtëpinë vazhdon. Ajo mbijeton në sajë të një pensioni të vogël, si dhe me ndonjë punë me kohë të pjesshme. Edhe pse të ardhurat e saj janë të pakta, ajo ndihmon shpesh si vullnetare në projektet e organizatës sonë, madje merr pjesë edhe në terapitë e buzëqeshjes për të tjerët.

Më e rëndësishmja është se Nadia është e përgatitur për t’u përballur me çdo lloj problemi që mund t’i ofrojë jeta. Ajo nuk ka më frikë nga humbja, sepse ajo e di se Ai që e ndihmoi të kapërcente të gjitha krizat, nuk do ta braktisë kurrë. Si në zog që ka për fole duart e Zotit, ajo sheh edhe një herë problemet që la pas dhe tashmë nuk i duken aq tronditëse sa më parë. Ashtu si mbreti David, ajo shprehet duke buzëqeshur, “Përse jam e dekurajuar? Përse e kam zemrën plot trishtim? Do shpresoj tek Zoti! Do ta lavdëroj sërish, shpëtimi është tek Zoti im!” 2

  1. Shih Romakët 8:28.
  2. Psalmi 42:5-6