Sa e lehtë është të dëgjosh këshillat e të tjerëve dhe të shndërrohesh në diçka ndryshe nga ç’je. Të ndalosh së qënuri unike dhe e mrekullueshme siç je krijuar të jesh. Të masësh vlerën tënde me mendimet e të tjerëve dhe jo me mendimet e Zotit.

Një e afërme e imja e moshuar erdhi një ditë për vizitë. “Një femër nuk qesh me gojën e hapur shumë, kokën e përkulur pas, duke u treguar të gjithëve bajamet.”më këshilloi ajo.

U ndjeva keq. “Ashtu dukem vërtetë?”

Ajo më imitoi dhe bëri një imitim shumë frikësues.

U bëra më e kujdesshme. E kapja veten duke qeshur, duke shijuar momentin, por pastaj fjalët dhe imitimi i kushërirës më shfaqeshin para. Kështu që mbyllja gojën për të mos i lejuar të tjerët të më shihnin dhëmballët. Ulja mjekrën derisa të kisha shikimin drejt dhe përpiqesha të lija buzët e lira duke formuar një formë më të vogël dhe të kontrolluar.

Doja të shijoja jetën, të qeshja e shfrenuar, por ndërgjegjja nuk më lejonte, më vidhte harenë. “Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një shpirt i dërrmuar i than kockat.” 1

Por një ditë harrova dhe qesha siç qeshja më parë. Dielli vazhdoi të shkëlqente. Askush nuk tha se bajamet e mia kishin formë të çuditshme. Askush nuk u largua duke më quajtur hienë. Fillova të qesh sërish, duke shijuar tingullin dhe ritmin.

Një ditë kur ndodhesha në Irlandë me familjen, ime bijë të cilës i pëlqen shumë të bëjë foto në befasi, më bëri një foto duke qeshur. Është një nga fotot e mia të preferuara.

Kishim ndaluar në trotuar gjatë shëtitjes nëpër Dublin dhe kishim nisur të bënim shaka me njëri-tjetrin. Në foto jam duke bërë shaka me babin. Krahun e kam zgjatur për të prekur atë, koka më është përkulur pas, gojën e kam hapur fort dhe jam duke qeshur me të madhe. Jo vetëm me zë e buzë, por me gjithë trupin. Me gjithë shpirt.

Psalmi 4:7 thotë: “Ti më ke shtënë në zemër më shumë gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.” Kështu dua ta jetoj jetën. Duke qeshur. Duke qeshur me të vërtetë dhe duke shijuar këtë jetë të përkohshme, të rrëmujshme dhe shpeshherë misterioze. Këtë jetë që ma ka dhuruar Zoti. Dua të qesh e shfrenuar, sepse Zoti është në anën time dhe Ai ka një sens humori. Shihni për shembull një platypus-rosë australiane.

  1. Fjalë të urta 17:22