“Njeriu Që Mbolli Pemë,” nga Jean Giono, është një tregim alegorik i Elzéard Bouffier, një bariu të përulët, i cili, me duart e tij, transformoi një rajon jopjellor të Francës jugore duke mbjellë pemë, ndërkohë që ruante dhentë e tij teksa kullosnin çdo ditë në një kodër të re. Gjithashtu frymëzoi në krijimin e motos që shfaqet në ballinën e çdo numri të Activated: “Ndrysho jetën tënde. Ndrysho botën tënde.”

Në histori, puna prej dekadash e bariut çoi në ripyllëzimin e një zone të tërë, që riktheu jetën e egër, mbajti në kontroll burimet dhe përmirësoi tokën për mbjellje. Si përfundim, u shpërngulën më shumë njerëz drejt rajonit, që dikur ishte thuajse i shkretuar. Falë tij, rajoni u bë i gjallë dhe i begatë.

Historia na tregon se Elzéard e nisi misionin e tij, pasi gruaja dhe djali i tij i vetëm ndërruan jetë. Shumë njerëz do të ishin mbyllur në hidhërimin e tyre, apo thjesht do ta refuzonin idenë, duke e konsideruar si të marrë, të pamundur, ose nuk do ta konsideronin fare si përgjegjësinë e tyre. Por ai e hodhi idenë e tij në praktikë dhe me hapa të ngadaltë, por të sigurt ndryshoi pjesën e tij të botës.

Ai kishte një qëllim të qartë dhe një plan të thjeshtë. Me shumë mundësi, ai nuk e kishte fare për qëllim ta ndryshonte botën në një shkallë kaq të madhe, por gjërat e mira shtohen, kur përballen me sfidën. Dy Luftërat Botërore nuk e ndalën punën e tij, po ashtu edhe vështirësitë dhe pengesat në dukje të pakalueshme. Kur vuri re se dhentë e tij cimbisnin fidanët, ai filloi të merrej me apikulturë. Kur 10 000 panjat që ai kishte mbjellë u thanë një vit, ai mbolli ah vitin tjetër, çka rezultoi me më shumë sukses.

Gjërat e mëdha shpesh vijnë si rezultat i hapave të ngadaltë e të duruar. Detyra e tij nuk ishte e vështirë, por ai e bëri ditë pas dite për dekada dhe në bashkëpunim me Zotin, duke bërë ç’mundej dhe duke ia lënë Zotit në dorë pjesën tjetër.

Çfarë ideje, në dukje të marrë, ke? Me ndihmën e Zotit, mund të mos jetë aq e marrë apo e pamundur sa mendon. Jepi. Ndrysho jetën tënde. Ndrysho botën tënde.