Njeriu bujar do të përparojë dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.—Fjalët e Urta 11:25

Falas morët, falas jepni.—Mateu 10:8

Mos harroni, nuk ka gjë më të bukur se mirësia. Çdo lëvizje e saj lë një shenjë.—Scott Adams (lindur v. 1957)

Duhet t’i kushtoni pak kohë shokëve tuaj. Sado pak të jetë, bëni diçka për të tjerëtdiçka për të cilën nuk paguhesh, por që ke privilegjin të jesh ti ai që e bën.—Albert Schweitzer (1875–1965)

Jam një i vetëm, por ama jam një. Nuk mund të bëj gjithçka, por ama mund të bëj diçka; dhe ngaqë nuk mund të bëj gjithçka, nuk do të refuzoj të bëj diçka që mund ta bëj.—Edward Everett Hale (1822–1909)

Sikur të kuptonim tani që jemi të vdekshëm, se ditë pas dite po ndërtojmë për përjetësi; sa ndryshe do ishte jeta në shumë aspekte! Çdo fjalë e mirë, çdo mendim bujar, çdo hap joegoist që bëjmë do të jenë shtyllat e një bukurie të përjetshme në jetën që na pret. Ne nuk mund të jemi egoistë dhe indiferentë në njërën jetë dhe bujarë dhe të dashur në tjetrën. Të dyja jetët janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrënnjëra është vazhdim i tjetrës.—Rebecca Springer (1832–1904)

Shën Francesko i Assisit ka thënë: ”Çdo gjë që merrni ju ndan nga të tjerët; çdo gjë që jepni ju bashkon me të tjerët.” Shpirti i vetëmohimit është bujaria. Ajo nuk na ndihmon vetëm për të bashkuar një skuadër, por edhe për ta çuar atë përpara.—John C. Maxwell (Lindur v. 1947)

Ata që lënë mbrapa arritje jo të mëdha por një sërë veprash të vogla mirësie, nuk do të thotë që s’kanë jetuar.―Charlotte Gray

Shumë prej nesh me siguri që duan të kenë shumë vëmendje për ditëlindje dhe raste të tjera të veçanta. Por a nuk ndihesh i rrethuar me dashuri kur dikush papritur bën diçka të bukur për ty pa pasur arsye tjetër përveç dashurisë që ka ndaj teje?

Përse të mos bëni të njëjtën gjë për të tjerët? Nëse do të mendonit sado pak për këtë, do të çuditeshit kur të kuptonit sesa shumë gjëra të vogla mund të bëni për të tjerët, gjëra që nuk kushtojnë aspak kohë apo para. Dëshiron të ndryshosh marrëdhënien tënde me familjen, miqtë dhe kolegët? Kushtoju pesë minuta të tjerëve dhe bëj diçka të mirë për ta.—Shannon Shaylor 1

Mos mendo se dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë e jashtëzakonshme. Ajo për të cilën kemi nevojë është të duam pa u lodhur kurrë. Beso në gjërat e vogla sepse aty gjendet forca juaj.—Nënë Tereza (1910–1997)

Një nga gjërat më të bukura të jetës është se kushdo që përpiqet të ndihmojë të tjerët, ka ndihmuar veten.—Ralph Waldo Emerson (1803–1882)

Çdo ditë keni mundësi për të treguar durim, mirësi dhe falje. Keni kohë për të menduar pozitivisht, për të buzëqeshur, për të qenë afër të tjerëve dhe për të treguar mirënjohje. Mund të provosh të jesh dëgjues i mirë i të tjerëve. Mund të përpiqesh të tregohesh zemërmirë veçanërisht me njerëzit e vështirë dhe që të irritojnë. Mund të tregosh anën tënde shpirtërore me pothuajse çdo gjë që bën.—Richard Carlson (1961–2006) 2

Nëse hidhni një vështrim nga e kaluara juaj, do të kuptoni se momentet që vërtetë i keni jetuar janë ato kur keni bërë diçka me shumë dashuri.—Henry Drummond (1851–1897)

A të është ofruar ndonjëherë mirësi?
Jepja dhe ti të tjerëve.
Ajo nuk ka qenë vetëm për ty
Jepe;
Lëre që ndër vite të udhëtojë,
Lëre të fshijë lotët e dikujt tjetër,
Derisa në Parajsë të shkojë.
Jepe.
Henry Burton (1578–1648)

Nëse vendosim si synim të bëjmë një jetë plot me mirësi dhe dashuri pa kushte, atëherë bota do shndërrohet në një kopsht ku do të lulëzojnë dhe do të rriten të gjitha llojet e luleve.—Elisabeth Kübler-Ross (1926–2004)

Karakteri i mirë është guri më i mirë për varrim. Ata që të kanë dashur dhe i ke ndihmuar, do të të kujtojnë edhe kur lulet të jenë vyshkur. Gdhende emrin tënd në shpirtin e njerëzve dhe jo në mermer.—Charles Spurgeon (1834–1892)

Unë nuk pretendoj të të fal një shumë të tillë; unë thjesht po ta jap borxh. Kur ti të takosh një njeri tjetër të ndershëm që gjendet në të njëjtën situatë të vështirë, mund të ma kthesh borxhin duke ia dhënë hua atij; duke e nxitur atë që ta shlyejë borxhin nëpërmjet një veprimi të ngjashëm, kur të mundet dhe kur të takojë një njeri tjetër. Shpresoj që të vazhdojë kështu nëpër shumë duar. … Kjo është një mënyrë e imja për të bërë mirë me pak para.—Benjamin Franklin (1706–1790), në një letër për Benjamin Webb-in

Një vepër e mirë nuk mbaron me aq. Një vepër e mirë të çon drejt një tjetre. Shembulli i mirë ndiqet. Një gjest i vogël mirësie hedh rrënjë gjithandej, dhe rrënjët rriten e krijojnë pemë të reja. Gjëja më e mirë që mirësia u bën të tjerëve është se ajo i bën ata më të mirë.—Amelia Earhart (1897–1937)

  1. Love’s Many Faces (Shtëpia botuese Aurora, 2010)
  2. Don’t Sweat the Small Stuff at Work (New York: Hyperion, 1998)