Stresi është një nga “vrasësit” kryesor të lumturisë, nga i cili Zoti kërkon të na çlirojë. Stresi të vështirëson veprimtarinë dhe është shkaktari kryesor i mosqënurit të lumtur, i sëmundjeve, madje edhe i vdekjes. Sipas një artikulli që lexova kohët e fundit, midis 75-90 përqind e vizitave të mjekëve në vendet e zhvilluara kishin të bënin direkt ose indirekt me stresin. Besimi është një kundërhelm për stresin. Nëse beson dhe ia lë gjithçka në dorë Zotit, nëse beson që Ai ka çdo gjë nën kontroll, që Ai është i aftë të sjellë diçka të mirë edhe nga situatat më të këqija, automatikisht eleminon shumë stres nga jeta.

Secili prej nesh është në gjendje të ketë besim tek Zoti për disa gjëra, por ka gjithmonë aspekte të jetës, për të cilat ndjejmë se duhet të shqetësohemi apo një barrë që duhet ta mbajmë vetë, në vend që t’ia japim Zotit dhe të besojmë se Ai mund të kujdeset për to më mirë se ne. Dhe nëse i lejojmë ato ngarkesa të rëndojnë mbi ne — qofshin fizike, emocionale, mendore apo shpirtërore — herët a vonë ato do të shkaktojnë stres, i cili pas një farë kohe mund të ketë efekt shkatërrues mbi shëndetin dhe shpirtin tonë.

Shumë nga ne kemi të paktën një ose dy fusha ku jeta jonë nuk është e balancuar apo perspektiva jonë nuk është e qartë. Shpesh kjo ndodh sepse kemi pasur ngarkesë pune ose emocionale për kohë të gjatë pa pushimet apo ekuilibrat e nevojshëm. Zoti dëshiron të na ndihmojë duke na mundësuar zgjidhje në mënyrë që t’i lehtësojë ato ngarkesa dhe t’i bëjë më të lehta për t’u mbajtur.

Një ide të gabuar që kemi shpesh është se barazojmë gjithmonë stresin me punën ose kur mendojmë se një sasi e caktuar stresi është e pashmangshme në një jetë të zënë me punë. Por nuk duhet të jetë patjetër kështu. Mund të punosh shumë dhe të mos stresohesh nëse ju:

  • Bëni një jetë të ekuilibruar. Puno kur është koha për të punuar, luaj kur është koha për të luajtur dhe mbi të gjitha, konsideroje të shenjtë kohën që kalon me Zotin. Nëse përjeton një periudhë që është më e ngjeshur se zakonisht dhe të duhet të reduktosh pushimet dhe shoqërimet me të tjerët, sigurohu që gjërat të ngadalësohen sërish, kur ai projekt apo ajo periudhë kohe të mbarojë. Mos e lejo të vazhdojë pa mbarim. Ai ritëm i shpejtë mund të krijojë një vartësi jo të shëndetshme.
  • Lëre Zotin të mbajë ngarkesat e tua, ç’ka do të thotë të ushtrosh besimin tënd duke i besuar Atij situata të vështira dhe stresuese në vend që të përpiqesh t’i zgjidhësh ato vetë. Situatat stresuese janë pjesë e jetës; nuk mund të ndodhë ndryshe. Kur njëri prej fëmijëve të tu është i sëmurë, është stresuese. Kur je keq me financat, është stresuese. Kur ke afate strikte apo jo realiste, është stresuese. Por nuk keni pse t’i zgjidhni këto probleme vetëm. Zoti është një “ndihmë gjithnjë e gatshme në vështirësi.” 1
  • Mëso të njohësh limitet e tua dhe mos u përpiq të bësh më shumë nga sa është e shëndetshme. Mëso të jesh realist, dhe nëse nuk je realist, dëgjo të tjerët që janë, kështu që nuk do të sorollatesh duke krijuar situata stresuese të panevojshme për veten dhe të tjerët rreth teje.
  • Ndalu herë pas here dhe bëj një kontroll se si po shkon me secilën prej pikave të mësipërme.

Shpesh herë stresi vjen më shumë nga një mentalitet negativ, se nga afate apo ngjarje egzistuese. Për shembull, shqetësimi, frika, krenaria e tepruar dhe egoizmi, të gjitha këto shkaktojnë dhe kontribuojnë në rritjen e stresit.

Të çlirohesh nga stresi nuk është e lehtë. Të ndryshosh zakonet dhe mentalitetin zakonisht është e vështirë dhe kërkon kohë. Dy gjëra që të ndihmojnë të ruash balancën, teksa përpiqesh të bësh ndryshime të tilla janë: të bësh një përpjekje të vetëdijshme për të pasur besim tek Zoti duke i rikujtuar vetes se Ai ka nën kontroll gjithçka dhe se momenti që Ai zgjedh është i duhuri. Dhe përcakto hapat praktikë që mund të bësh për të reduktuar ngarkesën që mban, ndërsa Ai punon për të gjetur zgjidhje më afatgjata. Si mund t’ia “japësh barrën Zotit” në mënyrë që Ai të të mbajë? 2

Zoti ka premtuar në fjalën e Tij, “Ejani tek Unë, ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe Unë do t’ju çlodh. Merrni zgjedhën Time me vete dhe mësoni nga Unë, për butësinë dhe përulësinë që kam në zemër, dhe do të ndjeni çlodhje për shpirtrat tuaj. Zgjedha ime është e rehatshme dhe barra ime është e lehtë.” 3

Mund të mos e keni përfytyruar më parë se mund të çliroheni nga stresi. Mund të keni menduar se është thjesht një pjesë e pashmangshme e jetës suaj apo e rrethanave në të cilat ndodheni, pjesë e çmimit që paguhet kur je shumë i zënë apo kur ke një punë të vështirë. Por nuk duhet të jetë kështu. Ne ndoshta nuk do të arrijmë kurrë një fitore të përhershme ndaj stresit, sepse jemi njerëz. Por mund të mësojmë të kapërcejmë apo të reduktojmë efektet negative të stresit sa herë që vjen rrotull duke e zëvendësuar atë me besimin tek Zoti, i cili na sjell paqe. 4

  1. Psalmet 46:1
  2. Shiko Psalmet 55:22.
  3. Mateu 11:28-30
  4. Shiko Jobi 22:21; Isaia 26:3