Steve ishte një djalë i vogël dhe i hareshëm me sy kaf të mëdhenj, flokë bjond me kaçurrela dhe me një gropëz që i bëhej në faqen e djathtë sa herë që qeshte. Kishte sy ëndërrimtar dhe shpesh ulej pranë dritares duke i ngulur sytë shiut, reve apo zogjve.

“Atë e ka puthur një ëngjëll”më tha mamia japoneze me buzëqeshje kur vendosi për herë të parë në krahët e mi denkun e vogël dhe të ngrohtë duke më treguar pak flokë të bardhë prapa kokës së tij. “Ai ka një thirrje të veçantë në jetë.”

Me kalimin e viteve, më riktheheshin në mendje fjalët e saj dhe pyesja veten se çfarë kuptimi kishin.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, Steve, një adoleshent bukurosh me fizik atleti, papritur u sëmur rëndë. Isha e sigurtë se kishte të bënte me malarien, pasi kishim udhëtuar nëpër bregdet rregullisht gjatë punës sonë misionare në Afrikën Lindore. Por pamja serioze në fytyrën e mjekëve fliste ndryshe, edhe para se ai të na tregonte rezultatet e analizave që kishte kërkuar. “Leuçemi akute.” Koka m’u mbush plot me pyetje. Çfarë do të thoshte? A do shërohej? Si do ndikonte kjo në të ardhmen e tij?

Për shkak të situatës së rëndë të Steve-it, ishim në garë me kohën. Brenda pak orësh, Steve u transportua nga Kenia në Europë, ku kishte kurim më të specializuar. Ai u shtrua në spital dhe filloi kimioterapinë.

Dy vitet e ardhshme ishin të gjatë dhe plot dhimbje. Ndërsa një seancë kimioterapie pasonte tjetrën, shpresat shuheshin.

Pastaj erdhi dita kur u bë e qartë se Stivi ynë i dashur nuk do kishte shërim. Mjekët u shprehën se mjekimi nuk pati sukses dhe i dhanë edhe gjashtë javë jetë. Ishte dëshira e Stivit të kthehej në Mombasa, Kenia, ku ishte rritur. Ishte atje, i rrethuar nga miqtë dhe familja e tij ku plotësoi disa nga dëshirat e tij të fundit, siç ishte një ditë lundrimi përgjatë gjirit, para se të shikonte diellin tropikal që lëshonte ngjyrimin e tij mbi Oqeanin Indian gjatë perëndimit.

Kur Steve mori frymë për herë të fundit një mëngjes në një dhomë të vogël spitali që lartohej mbi oqean, botën për mua e pllakosi heshtja. Një flutur e madhe e verdhë fluturoi nëpër dritaren e hapur dhe unë ndjeva zërin e Zotit të më siguronte se Ai e kishte çuar Stivin qetësisht në mbretërinë e Tij të padukshme. Sidoqoftë, humbja e tim biri më la të dërrmuar edhe pas një kohe të gjatë, kur të afërmit e tjerë e kishin kaluar dhimbjen e tyre.

“Lëre të kalojë dhe shiko përpara”, ishte këshilla kuptimplotë që merrja nga çdo anë. Por për ku duhet të shikoja? Dhe si? Thellë brenda meje, u ndjeva e brengosur dhe e inatosur me Zotin që më rrëmbeu djalin tim kaq të ri dhe plot energji. U ndjeva bosh dhe e tradhëtuar. Zemra më mbeti e vrarë, ndërsa muajt kalonin dhe e vuaja humbjen në mënyrë të vazhdueshme.

Përfundimisht vendosa të takoj Zotin në oborrin tim herët çdo mëngjes për t’i treguar për vuajtjet e mia. Ditët bëheshin javë, ndërsa unë zbrazja mbi të gjithë hidhërimin, dhimbjen dhe zemërimin tim lidhur me atë ç’ka kishte ndodhur. E pyesja pa pushim: “Nëse dashuria është thelbi i natyrës Tënde, siç thotë Bibla, si munde të veproje kaq ashpër me mua dhe tim bir?”

Çfarë dëgjuesi të duruar që gjeta.

Qava, u luta dhe logjikova, derisa më në fund një mëngjes vura re se kisha thënë gjithçka që doja dhe kisha zbrazur të gjitha emocionet. Atëherë kur isha e gatshme të bëja paqe me Zotin, qetësia pushtoi shpirtin tim. Me një zë të ngrohtë dhe qetësues, Zoti nisi t’i flasë zemrës time. Nga ai moment, takimet e mia të vetmuara në oborr me Zotin morën një drejtim tjetër. Mësova ta dëgjoj dhe ta lejoj Atë të më ngushëllonte dhe të më shëronte dhimbjen.