“Më duhen para—shumë para!” Psherëtiu shoku im duke i hedhur sheqer kafes në kuzhinë.

“Përse?” E pyeta paksa e habitur. Ai nuk ishte i varfër dhe kishte gjithçka që i duhej për të qenë i lumtur.

Më vështroi disi i turbulluar. “Kam ëndrra o njeri! Më kupton—një shtëpi më të madhe dhe një makinë të re. Çdo gjë që kam në jetë më duket shumë e mërzitshme! Por nuk kam para ta ndryshoj.” Ai vërtetë nuk dukej i lumtur.

Apostuli Pal ka thënë një gjë me vlerë: “Unë di të jem i kënaqur në çdo situatë, të jetoj në bollëk dhe të kem uri; të kem me tepri dhe të jetoj në varfëri.” 1 Sekreti është të jesh i kënaqur me atë që ke. E vërtetë që mund të jetë pak e vështirë, pasi çdo gjë që na rrethon na dikton se e vetmja rrugë drejt lumturisë është të kemi më tepër nga sa zotërojmë aktualisht. Kjo në fakt mund të na dekurajojë.

Edhe miliarderi anglez Jon Pedley kishte ëndrra të mëdha—dhe ndryshe nga shoku im, ia kishte dalë t’i realizonte. Para, famë, respekt—i kishte të gjitha. Kishte qenë edhe pjesë e kopertinave të revistave.

Por më pas u zbulua se ai kishte probleme. Pas asaj fasade ishte një zë insistues që i thoshte se çdo gjë nuk ishte ashtu siç dukej. Se në jetë kishte gjëra më të rëndësishme se pasuria. Ai e urrente atë zë dhe përpiqej ta mbyste duke pirë. Një ditë piu aq shumë sa u përfshi edhe në një aksident me makinë. Përfundoi në koma për gjashtë javë.

Por nuk mbaroi me kaq.

Kur u zgjua pas gjashtë javësh, kuptoi se ishte i lodhur nga gjithçka. Duhej të ndryshonte. Dhe ndryshoi! Ia fali zemrën Zotit dhe shumë prej parave të tij i ofroi për bamirësi. Më pas u nis drejt Ugandës, jetoi në një shtëpi të thjeshtë prej balte mes varfërisë dhe ndërtoi një jetimore për fëmijët e braktisur.

Jo çdokush ka si thirrje të heqë dorë nga gjithë pasuria dhe të bëjë një jetë me sakrifica, por historia e Jon Pedley-t është një shembull i mirë për të kuptuar se lumturia e vërtetë dhe që zgjat nuk gjendet duke grumbulluar para dhe prona.

  1. Filipianëve 4:12