A keni ndjerë ndonjëherë sikur jeta ju ka çuar në rrugën e gabuar, apo se gjërat thjesht nuk janë të paracaktuara të realizohen për ju? Ka qenë një periudhë kur më dukej se jeta ime nuk kishte asnjë kuptim, si fijet e koklavitura në anën e pasme të një tapicerie.

Një rast i rëndë i skoliozës, apo e thënë ndryshe lakimi të shtyllës kurrizore, më futi në depresion kur isha fëmijë dhe më pas, më ngriti shqetësimet e zakonshme si adoleshente për të ardhmen. Kur mbusha 15 vjeç, përdorja drogë. Qe e habitshme që unë arrita t’ia dilja mbanë nëpër ato vite të trazuara kur nuk mund të ndihesha më e humbur dhe e pafuqishme. Zoti ishte gjëja e fundit që më binte ndërmend.

Në fillim të të njëzetave kam punuar për disa vjet si infermiere në një pavijon të kancerit, por të dëshmoja kaq shumë vuajtje, ditë pas dite, muaj pas muaji, ishte e tepërt për mua. U zhgënjeva gjithnjë e më shumë me jetën, dhe duke mos ditur se kush t’i drejtohem, vendosa të largohesha nga atdheu im Gjermania dhe të udhëtoja botën në kërkim të së vërtetës. Përfundova në Indi, ku, pas një përpjekjeje të dështuar për t’u bërë një murgeshë budiste, marshova plot mund rrugët e mbuluara nga pluhuri në një pelegrinazh për paqen, lumturinë dhe një arsye për të jetuar.

Më pas, një ditë në Indinë veriore, nisa një bisedë të thellë dhe domethënëse me një misionar të ri të krishterë nga një vend  i huaj. I shpjegova pyetjet e mia të shumta për jetën, dhe një nga një ai më tregoi përgjigjet në Biblën e xhepit që ai mbante me vete. Shtatë orë më vonë më mbaruan pyetjet dhe vendosa të vija në provë ato që ai quajti “premtime nga Bibla”. Jeta ime ishte gati të merrte një kthesë për më mirë; isha gati të shihja për pak kohë pjesën e sipërme të tapicerisë sime, dhe gjërat do të fillonin të kishin kuptim.

Unë nuk pata ndonjë përvojë të madhe emocionale kur e ftova Jezusin në jetën time, por gjatë ditëve të ardhshme ndodhi diçka e mrekullueshme. Fjalët nga Bibla më ushqyen shpirtin dhe gjithçka u bë më e qartë gjatë ditës.

Kjo ndodhi 40 vjet më parë. Që nga ajo kohë, si një fije ari që gërsheton përmes tapicerisë së jetës sime, Fjala e Zotit më ka çuar mbi male dhe nëpër lugina, me anë të dritës së diellit dhe hijeve, pranë përrenjve freskues dhe nëpër fushat e shkreta. Pavarësisht nga rruga apo vendi, kurrë nuk ka dështuar ta lulëzojë shpirtin tim me gëzim, paqe dhe rritje shpirtërore.