“Përfundimi” — tha folësi me një zë kumbues — “është i thjeshtë. Falëndero Zotin për gjërat e vogla në jetë. Mos kërko milionat, por ji mirënjohës për qindarkat.” Të gjithë duartrokitën.

Seminari mbaroi. Me librin tim të shënimeve plot me shënime të shkarravitura me nxitim dhe dy libra të reja vetë-ndihmuese që tregonin si ta shijoje jetën, u largova nga salla e takimit disi i hutuar.

Në fakt ishte një seminar i mirë, por nuk kisha dëgjuar asgjë të re. Mesazhi, për të shijuar gjërat e vogla në jetë dhe për ta zbatuar këtë çdo ditë, është aq i vjetër sa edhe vetë kodrat. Si t’ia bësh që mbetet mister edhe pas seminarit?

Në fillim të vitit, jeta ime ishte një katastrofë e vërtetë. Llogaria jonë bankare ishte pothuajse e zbrazët dhe problemet shëndetësore po shtoheshin. Dhe tani, frika kishte gjetur një vend të rehatshëm dhe pushonte në meditimet e mia të përditshme.

Si mund të jem unë mirënjohës për bekimet e vogla si një filxhan çaji të ngrohtë nën diellin e dimrit, ose gërhimën qetësuese të maces në prehrin tim, kur nuk dija si të mbijetoja deri në muajin pasardhës? Nuk kishte momente kur shqetësimet e kësaj jete nuk më rrethonin me përqeshjet e tyre dhe shpjegimet logjike pse jeta ime ishte një dështim dhe se unë nuk do t’ia dilja mbanë.

Streha.

E dëgjova fjalën në mendje, aq qartë sikur dikush të ma kishte thënë drejtpërdrejtë. Më duhej Streha.

Në ditët e vjetra, Streha i referohej të drejtës së një personi për t’u mbrojtur brenda mureve të kishës së shenjtë. Për aq kohë sa personi që kërkonte strehë qëndronte brenda kufijve të kishës, e drejta e tyre për Strehë zakonisht respektohej.

Megjithatë, si zbatohej kjo për mua?

Edhe unë isha në arrati. Frikët e mia ishin aq të vërteta sa edhe përndjekjet e kohërave të zvetënuara mesjetare. Ishte e pamundur të përpiqeshe të fshiheshe prej tyre. Por aty ka një Strehë. “Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.” 1

Siguri! Sa fjalë e mrekullueshme.

Në kullën e fortë të Jezusit, unë mund të gjej çlodhje dhe fuqi. Është vendi ku unë mund të diskutoj gjithçka me Shpëtimtarin dhe Ai do të më tregojë si të përballem me çdo problem dhe frikë.

Po gjithë telashet e mia? A nuk janë ende atje?

Pas pak kohë në Strehë, thumbimi i tyre largohet. Nuk ka gjë që unë dhe Jezusi nuk mund të përballojmë së bashku. Dhe pjesa më e mirë është se unë mund të kthehem te Streha sa herë të jetë e nevojshme.

  1. Fjalët e urta 18:10