Si të bësh ndryshimin?

Një pjesë e trishtueshme e ditës sime është kur dëgjoj lajmet. Thuajse çdo lajm flet për njerëz që po përballen me situata të tmerrshme. Si të krishterët dhe jo të krishterët përballen me vuajtje shumë të dhimbshme në një formë apo në një tjetër, anë e mbanë botës.

Shumica e lajmeve flet për rrethana tragjike. Që nga krizat financiare deri në terrorizëm, luftëra, konflikte që nga dhuna lidhur me drogën, të pastrehët, përndjekja e të krishterëve deri në shkatërrim nga ndryshimet klimatike, minat në tokat e braktisura apo mungesa e ujit në shumë vende ku ka qeveri të tmerrshme nënshtruese.

Duke menduar për gjithçka që është e gabuar, mund të trishtohemi nëse i lëmë gjërat me aq dhe nuk i lutemi Zotit për to. Por Ai më ndihmon edhe në jetën time personale, edhe kur i drejtohem për shpresë në një botë të rrënuar.

Duke kujtuar kufizimet e tmerrshme që kanë shumë njerëz, më ndihmon ta largoj vëmendjen nga ato që i konsideroj problemet dhe vështirësitë e mia. Duke më sjellë vazhdimisht në mendje vuajtjet dhe traumat që shumë njerëz përjetojnë çdo ditë, më ndihmon të kujtoj sa të parëndësishme janë vështirësitë e mundimet e mia dhe bëhem e ndërgjegjshme se sa e bekuar jam që nuk më kanë prekur kaq shumë gjëra të vështira dhe jashtëzakonisht  të trishtueshme.

Shoh se jam shumë e pasur në shpirt dhe kam plot bekime. Jam e mbushur me bollëk. Këmbët e mia ecin në rrugë të këndshme, sytë e mi shohin livadhe të qeta, veshët e mi dëgjojnë muzikë të bukur. Nuk i dëgjoj bombat e luftës. Nuk pi ujë të ndotur. Nuk jetoj në një kasolle me karton. Nuk i dëgjoj fjalët e mizorisë nga mbikëqyrësit e rreptë. Nuk jam e burgosur në një qeli të pisët.

Jetoj në paqe. Shumica e njerëzve që takoj, buzëqeshin dhe thonë fjalë të mira. Unë kam lirinë të flas hapur mbi besimin tim. Mund të kënaqem në shoqërinë e njerëzve të mi të dashur. Argëtohem, kam vëllazëri dhe shoqëri. Kam një shtrat të ngrohtë. Mund të dal jashtë pa pasur frikë.

Jam vërtet i pasur në shumë mënyra, që mund të merren lehtësisht si të mirëqena!

Kur dëgjoj lajmet, lutem për ata që po vuajnë anë e mbanë botës; kjo gjë më ndihmon gjithashtu të jem shumë më pozitive dhe të ndihem mirënjohëse për “peshën e lehtë” të brengave të mia, të cilat nuk janë gjë krahasuar me ato të shumë njerëzve të tjerë.

Ne që jemi të krishterë mund të na duhet të luftojmë dhe të përballemi me vuajtje dhe hidhërim të thellë, dhe ndonjëherë mund të mos ndihemi shumë të pasur, por jemi plot në shpirt, kemi liri dhe i kemi përgjigjet për shumë pyetje të jetës. Jemi shumë të bekuar.

Si rezultat, kemi përgjegjësi të ndajmë ato që kemi, me ata që na përball Zoti, dhe të lutemi për ata që po vuajnë dhe po përballen me humbje të mëdha.

Kur përballesh sot me vuajtjet dhe nevojat e pashpresa të shumë personave në botë, mund të ndiesh që nuk ke shumë për të ofruar. Por pavarësisht vështirësive, mungesave, inferioriteteve, paaftësive, pikëllimeve apo pengesave, në të gjithë mund të bëjmë pjesën tonë për Jezusin. Si djaloshi që i dha drekën e tij Jezusit sepse mendoi se kështu do të ndihmonte të tjerët.1 Dhe i ndihmoi vërtet! Plus që, ajo që arriti Jezusi përmes ofrimit të djaloshit atë ditë, me shumë gjasa preku jetën e tij dhe të të tjerëve përgjithmonë.

Mos i nënvlerësoni gjërat e vogla që ju mund të bëni: buzëqeshjen që mund të gëzojë zemrën e dikujt, fjalën e vogël që mund të jetë inkurajim, traktin që mund të transmetojë dashurinë e Jezusit, dhuratat e vogla në ndihmë të punës së Zotit, apo kontributet për të varfrit. Ai përdor disa nga gjërat e vogla dhe njerëzit e dobët si mjete për të pasur një ndikim të madh në jetët e të tjerëve.2

Zoti lavdëron vejushën që, edhe pse kishte shumë pak krahasuar me të tjerët, dha më shumë se burrat e pasur, sepse ajo dha gjithçka që kishte. Ai tha, “Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.”3 Ai e sheh zemrën tënde dhe Ai e di sa të kushtojnë sakrificat, dhe sakrifica është e madhe në sytë e Tij.

  1. Shih Gjoni 6:9–13.
  2. Shih 1 e Korintasve 1:26–28.
  3. Luka 21:4