Shkova sot te dyqani i gjërave me pakicë, Costco, për të kthyer një fshesë me korrent, të cilën e kisha blerë, por më doli me defekt. Pasi e kthyem, kishim ende nevojë për një fshesë me korrent dhe shkuam te sektori ku ofronin disa marka dhe modele. Aty qëlloi një përfaqësuese shitjeje e një prej markave, e cila e kishte ulur fshesën në dysheme dhe po demonstronte  cilësitë e saj.

Kjo zonjushë qe një përfaqësuese e shkëlqyer shitjesh. Ajo kishte veshur një bluzë të stampuar me logo dhe ajo po përshkruante si e përdorte personalisht këtë markë fshese në shtëpinë e saj. Këto fshesa kushtonin sa dyfishi i markave të tjera, por ajo fliste me aq pasion për vlerën dhe funksionimin e tyre, saqë bindeshe goxha kollaj për ta blerë dhe ishe gjatë gjithë kohës e bindur se po bëje një blerje të mirë. Ajo e njihte produktin e saj, ishte krenare për të dhe të bënte edhe ty të besoje se të nevojitej!

Teksa dhamë një shumë më të madhe seç prisnim për fshesën me korrent, të cilën “duhet ta kishim”, dhe mendova sa e shkathët ishte ajo që më bindi të paguaja aq shumë për atë produkt dhe më bëri të pyesja veten: “A mund të shes ndonjëherë diçka në mënyrë aq të suksesshme?” Specifikisht, a e “shes” unë Jezusin me aq entuziazëm? Kur më shikon, arrin ta dallosh që “përfaqësoj” Atë? Kam mjaftueshëm pasion për “produktin” tim, sa të të bind që edhe ty të duhet, edhe pse kushton?

Kjo nuk qe një pyetje e thjeshtë për t’i dhënë përgjigje. Mendoj se qëllimi bazë i atyre prej nesh, të cilët janë ndjekës të Jezusit është t’i bëjnë njerëzit e tjerë, ta duan Jezusin duke parë mënyrën se si ne jetojmë dhe duke na dëgjuar ne të flasim. Dhe, nëse nuk japim mjaftueshëm në këtë mënyrë, mendoj se ka vetëm një zgjidhje: ta njohim më mirë “produktin”.

Dola në përfundimin se nëse nuk jam egërsisht e apasionuar për Jezusin, atëherë, ndoshta, nuk e njoh Atë mjaftueshëm. Nëse nuk po të bëj ta duash më shumë Jezusin në jetën tënde, me shumë gjasa, ngaqë nuk e kam mjaftueshëm të pranishëm në jetën time. Nëse shpresa jonë është të afrojmë të tjerët drejt Krishtit, atëherë, ne duhet të jemi vetë pranë Tij. Dhe, njësoj si me çdo produkt të jashtëzakonshëm, rezultati do të flasë vetë.