Lexova një artikull interesant vetë-ndihmues që titullohej “Merr Frerët e Jetës Tënde Brenda një Ore,” 1 Nga Anna Rich. M’u përshtat sepse këshillat ishin të thjeshta, të qarta, praktike dhe vënia në praktikë realizohej vërtet brenda një ore. Ja dhe këshillat e mia të preferuara (dhe disa përshtatje personale) të asaj që mund të bëni brenda asaj një ore. Disa pika mund të funksionojnë për ju dhe mos funksionojnë për të tjerë, por shpresoj që disa gjëra të kenë kuptim dhe t’ju ndihmojnë të vini ditën tuaj në vijë.

Një minutë: Rregullo shtratin

Mund të duket qesharake apo e parëndësishme, por sapo dhoma juaj të duket më e rregullt, ju do të ndiheni menjëherë më mirë. Nëse jeni një njeri relativisht i rregullt, ju ndihmon të ndiheni që në fillim të ditës sikur gjërat janë në vendin e vet. Nëse jeni në anën tjetër të peshores, rregullimi i shtratit mund t’ju ndihmojë të gjeni shapkat tuaja të preferuara që kanë kohë që nuk gjenden apo atë fletën e bankës që ishe i sigurt se ta kishte ngrënë qeni.

Siç thotë edhe Bibla, “Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi.” 2

Pesëmbëdhjetë minuta: Ha mëngjes

Të hash mëngjes, ka shumë përfitime shëndetësore, edhe pse jo të gjithë janë persona mëngjesi. Puna është që të ndërgjegjësoheni për shëndetin tuaj, të bëni zgjedhje të mira, dhe të mos lejoni që të bëhen për ty nga vonesat e kohës para se të mund të hash një kafshatë.

Me mençuri, Mbreti Solomon i tha bijve të tij, “Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria.” 3

Dy minuta: Shkruaj një listë punësh për ditën

Të kesh listën e punëve të ndihmon të kuptosh me saktësi se çfarë duhet të bësh, në mënyrë që të sigurohesh të bësh fillimisht gjërat më të rëndësishme. Të mund të fshish nga lista punët, të jep atë ndjenjën fantastike dhe të mëse merituar të arritjes dhe të ndihmon të sigurohesh që nuk ke neglizhuar apo harruar të bësh gjëra që kanë lidhje me kohën, apo kanë një afat përfundimi.

Autori i Hebrenjve shkroi, “Që të mos bëheni përtacë, por t’u përngjani atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet.” 4

Dhjeta minuta: Lexo një kapitull të Biblës dhe lutu për dikë apo ndonjë ngjarje

Të ndiheni mirë nga ana shpirtërore është po aq e rëndësishme sa edhe nga ana fizike. Gjeni pak kohë të luteni për miqtë dhe të dashurit që ju vijnë ndërmend, po ashtu edhe për gjërat që po punoni apo për projektet tuaja të ardhshme. Dëgjuat mbi ndonjë tragjedi në lajme? Ju mund të gjeni disa minuta për t’u lutur për personat e përfshirë në të.

Ka shumë programe të shkëlqyera për leximin e Biblës që mund t’ju ndihmojnë të zgjidhni një kapitull apo dy, për t’i lexuar çdo ditë dhe gjithashtu t’ju ndihmojë të kapërceni kapitujt e gjatë me kalimin e kohës. Një ide tjetër mund të jetë të lexosh një Psalm apo Fjalë të urtë çdo ditë, ose një kapitull nga disa libra të tjerë motivues apo artikuj të përzgjedhur përkushtimi. Duke ju referuar banorëve të Bereas, të cilët ishin shembullorë në leximin e përditshëm të Fjalës së Zotit, Luka tha, “E pranuan fjalën me gatishmëri të madhe. Çdo ditë shqyrtonin Shkrimin e Shenjtë për të parë nëse këto gjëra ishin kështu.” 5

Dy minuta: Trego mirënjohje

Ka shumë gjëra, të cilat i marrim çdo ditë si të mirëqena, si shikimin, shëndetin, mundësitë për të studiuar dhe punuar, miqtë dhe familjen, apo çatinë mbi kokë. Të gjesh çdo ditë disa minuta për të falënderuar Zotin për gjërat që të ka dhënë të ndihmon ta shohësh jetën nga një perspektivë më e mirë. Pozitiviteti është një gjë e fuqishme; ka shumë përfitime shëndetësore dhe madje mund të të ndihmojë të ecësh përmes dyerve të mundësisë, të cilat mund të mos i kishe tentuar po të përqendroheshe në negativitet.

Mbreti David i përjashtoi thuajse të gjithë justifikimet pse nuk i luteshin Zotit kur tha, “Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin.” 6

Tridhjetë minuta: Ushtrohu

Ne jemi fizikisht joaktive për këtë jetë moderne: studiojmë, punojmë ulur, lexojmë, ngasim makinën ose përdorim transportin publik, flemë dhe shohim televizor, ulemi para një tableti apo një kompjuteri. Sfida është të shohim nëse mund t’i japim vetes të paktën 30 minuta për të bërë një shëtitje apo diçka aktive të cilën e shijojmë. Bibla i referohet trupit si “Tempulli i Zotit.” 7 Kjo do të thotë që është e rëndësishme të kujdesesh për veten.

Mirë e tha Gjoni: “Shumë i dashur, unë dëshiroj të kesh mbarësi në çdo gjë dhe të gëzosh shëndet të mirë, ashtu si ka mbarësi shpirti yt.” 8

Nëse mund t’i shtoni këto gjëra në rutinën tuaj ditore, mund të habiteni se sa mirë do të ndiheni dhe sa më në kontroll të situatës do të jeni. Unë sapo e kam nisur, dhe më pëlqen pa masë.

Gjëja më e rëndësishme është ta bëni pavarësisht vështirësive. Çdo gjë e mirë që bëni, edhe për pak minuta çdo ditë, ju shpërblehet me kalimin e kohës!

Sa vlejnë 60 minuta për ty?

  1. Fairlady, Prill 2013
  2. 1 e Korintasve 14:33
  3. Fjalët e urta 19:15
  4. Hebrenjve 6:12
  5. Veprat 17:11
  6. Psalmet 150:6
  7. 1 i Korintasve 3:16
  8. 3 Gjonit 1:2