Të rrish në heshtje para Zotit, 1 do të thotë t’ia japësh ngarkesën Jezusit, të kesh një lidhje shpirtërore dhe të kalosh kohë me Të në mënyrë që Ai të të mbushë me forcë dhe të të përtërijë vizionin. Do të thotë të kesh një shpirt paqeje, besimi dhe të mbash gjithmonë Jezusin në plan të parë. Të rrish në heshtje para Zotit është bukur sepse mendon për Jezusin dhe kalon kohë me Të. Prandaj nuk është e vështirë dhe nuk ka as kosto, megjithëse kërkon zotim për të ngadalësuar ritmin e jetës dhe për të lënë çdo gjë tjetër për të kaluar kohë me Të.

Shumica prej nesh kanë një jetë të mbushur me angazhime, ndaj kemi nevojë për qetësinë, paqen dhe forcën që marrim duke qëndruar në heshtje pranë Zotit dhe duke medituar. Çdokush prej nesh ka nevojë ta mësojë sekretin për t’u mbështetur tek Ai, për t’i besuar Atij punën tonë, për të pushuar pranë Tij, e për ta mbajtur shikimin tek Ai. 2

Sa shumë njerëz e dëshirojnë paqen. Kur qëndrojmë në heshtje para Zotit, mendja dhe shpirti ynë mbushen me Frymën e Tij, dhe ne jemi në gjëndje t’ua transmetojmë atë edhe të tjerëve. Sa më në paqe të jemi, aq më shumë besim tregojmë dhe aq me shumë do ta kërkojnë atë që ne kemi.

Ndërsa ngadalësojmë ritmin e jetës për të kaluar pak kohë duke qëndruar në heshtje para Zotit, duke medituar për të dhe duke marrë mendimin e Tij, Ai mund të na ndihmojë të rendisim prioritetet tona duke na rritur besimin për t’u marrë me to. Të qëndruarit në heshtje para Zotit sjell paqe dhe qetësi për shpirtin tonë dhe në ditë të ngarkuara, kjo paqe dhe qetësi na ndihmon të ruajmë arsyen dhe kthjelltësinë e mendjes.

  1. Shih Psalmi 37:7
  2. Shih Gjoni 15:5 dhe Zakaria 4:6