Para disa kohësh, u gjenda duke u përballur me një situatë që i tejkalonte aftësitë e mia për ta zgjidhur. I vetëm, në qetësinë e natës, vrava mendjen për të gjetur një zgjidhje dhe në fund dërgova një lutje për udhëzime.

Ndërsa shtrihesha në shtrat, duke pritur të dëgjoja një përgjigje, kishte vetëm heshtje. Durimi filloi të më dobësohej, dhe në çastin kur u bëra gati të ngrihem për një gotë ujë, u dëgjua zëri i ulët e i qetë: A je i sigurt që po tregohesh tërësisht i qetë dhe i heshtur?

Sigurisht që jam! U kundërpërgjigja. Jam shtrirë këtu gjatë gjithë kësaj kohe, krejt i qetë dhe në heshtje, duke mos dëgjuar absolutisht asgjë. Kjo heshtje po më çmend!

Trupi yt mund të qëndrojë shumë mirë i qetë dhe pa lëvizur, tha Zoti, po mendja jote?

Ashtu siç isha, kuptova shumë shpejt dhe qartë pse po ndihesha aq i rraskapitur, pavarësisht qetësisë sime të jashtme. Nga brenda, po stërmundohesha mendërisht, duke u përpjekur të gjeja përgjigjet që më duheshin.

Më në fund i vendosa frena mendjes, duke ngadalësuar gradualisht derisa u ndala plotësisht. Nuk e kisha patur idenë se me çfarë shpejtësie kishte qenë duke vrapuar mendja ime. Ishte ndjesi e këndshme të ishe mirë mendërisht, dhe provova paqen që më mbushi plot ndërsa mendja dhe zemra ime filluan të çlodhen. Në gjendjen e re të mendjes sime, isha gjithashtu në gjëndje të provoja heshtjen, çdo minutë të saj.

Më në fund mora përgjigjet që po kërkoja, por jo para se të zbuloja se “qetësia dhe siguria” e vërtetë është ajo e zemrës dhe mendjes, jo vetëm e trupit.

Si natyrë, jam aktiv mendërisht, gjithmonë duke bërë plane, analiza, duke reflektuar e duke u menduar—por sigurisht që edhe merakosem dhe shqetësohem. Kjo është një përvojë që më është dashur ta përsëris disa herë në jetë, ndërsa Zoti vazhdon të më rikujtojë se qetësia e vërtetë është ajo e zemrës dhe shpirtit. Kjo është ajo lloj qetësie që e lejon Zotin të veprojë në emrin tonë .1 Nëpërmjet kësaj qetësie fitohen betejat, përmbushen nevojat dhe gjenden përgjigjet. Dhe më e rëndësishmja, marrëdhënia jonë me Zotin forcohet dhe lidhja jonë me Të bëhet me qartë.

  1. Shih 1 e Thesalonikasve 4:11.