Ajo lindi djalin e saj—të parëlindurin, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në grazhd, sepse në han nuk pati vend për ta.—Luka 2:7

Zoti i universit mund të kishte zgjedhur çdo lloj vendi për lindjen e Jezusit. Kjo ngre pyetjen se përse Zoti zgjodhi një banesë aq të thjeshtë ku mbaheshin dhe ushqeheshin kafshët—një kasolle, kur mund të kishte qenë një shpellë apo një dhomë miqsh në shtëpinë e një të afërmi.

Dhoma mund të kishte qenë e mbushur me barëra aromatikë—lule të thara që kishin lulëzuar nëpër livadhe pranverore para se të këputeshin nga bukuria e tyre—ashtu si dhe vetë Jezusi. Në Japoni, dyshemetë tradicionale bëhen me barishte të freskëta të bimës së orizit, të quajtura tatami, sepse kanë një aromë shumë të mirë. Ndoshta edhe Zoti e shijoi aromën. Barërat tregojnë gjithashtu se jeta nuk është e përhershme.

Gjatë lindjes së Tij, Jezusi ishte i rrethuar nga krijesa të thjeshta—ndoshta një gomar, zogj, lopë, dhi apo dele. Gjatë jetës së Tij, Jezusi kërkoi të përulurit dhe u tha ndjekësve të Tij t’i predikojnë ungjillin çdo krijese. 1 Ai u shërbeu njerëzve të butë dhe zemërthyer, prostitutave, taksambledhësve, peshkatarëve, fëmijëve—shtresave të fundit të shoqërisë. Ai erdhi për të kërkuar dhe shpëtuar të humburit. Ai transformoi njerëzit që ishin si kafshë në bij dhe bija të Zotit.

Pastaj ishin edhe prindërit e Tij në tokë: një marangoz i thjeshtë dhe një vajzë e re. Jezusi mund të kishte lindur në një familje të famshme, por nuk ndodhi kështu. Jezusi ndoqi hapat e babait të Tij deri në moshën 30-vjeçare, duke transformuar drurin në paisje të ndryshme, siç bën edhe sot duke transformuar ata që vijnë pranë Tij për të kërkuar një jetë më të mirë.

Një grup barinjsh erdhën për të parë Jezusin e porsalindur me ftesën e engjëjve. 2 Zoti mund t’u kishte kërkuar engjëjve të thërrisnin këdo në kasolle. Mund të kishte thirrur priftërinjtë e lartë, njohësit e ligjit apo Farisenjtë, por nuk e bëri. Zoti thirri njerëzit që konsideroheshin më pak fetarë se gjithë të tjerët, sepse puna e tyre e ruajtjes së deleve i privonte ata për të ndjekur ritualet e ndryshme fetare të besimit të tyre. Ndoshta engjëjt ftuan barinjtë, sepse ata ishin më të përulurit, delet e humbura që Jezusi kishte ardhur të shpëtonte.

Engjëjt i thanë barinjve se kjo foshnje nuk ishte thjesht një fëmijë si gjithë të tjerët, por ishte Ai i premtuari që do të sillte lajme të gëzueshme për të përulurit, që do të shëronte ata që ishin zemërthyer; Ai që do i shpallte skllevërve lirinë dhe hapjen e burgut të burgosurve. 3

Duke u afruar ata panë një grua të re e cila shihte me ngazëllim fëmijën e saj ashtu siç di të shohë vetëm një nënë. Edhe pse nuk ka të dhëna nëse barinjtë mund t’i kenë bërë dhurata foshnjes, nuk besoj se kanë shkuar duarbosh. Ndoshta mund të kenë çuar qumësht për të pirë, djath për të ngrënë, lesh për ta mbajtur ngrohtë, pak mish qingji për supë. Sot, në malet e Italisë, këto janë dhuratat që sjellin barinjtë për nënat e reja.

Duke u larguar, barinjtë u gëzuan kur mësuan se ky Djalë, i lindur nga njerëz të thjeshtë e të varfër njëlloj si ata, ishte shpëtimtari i të përvuajturve—i atyre njerëzve vullnetmirë të cilëve engjëjt u kishin dhënë bekimin e paqes.

Zoti nuk mund të gjente vend më të mirë për lindjen e Birit të Tij, Shpëtimtarin—Jezusin. Edhe pse mund të jetë dukur diçka e turpshme të lindësh në rrethana të tilla, kjo gjë përmbushi planin e Zotit. Ai shpesh punon në mënyrë misterioze për të realizuar mrekullitë e Tij. 4 E bëri atëherë dhe vazhdon ta bëjë ende sot.

  1. Shih Marku 16:15.
  2. Shih Luka 2:8-12.
  3. Isaia 61:1.
  4. Shih isaia 55:9.