Po kaloja një periudhë të vështirë. Më binin vazhdimisht ndërmend njerëzit që më kishin fyer dhe e gjeja veten duke turfulluar nga mëria dhe inati.

Megjithatë, e vetmja gjë që arrin inati dhe acarimi im, është të mjegullojë të menduarin dhe perspektivën time. S’ma zgjidh kurrë problemin. Reagimi im është të kundërpërgjigjem dhe t’i çoj gjërat në vendin e vet, por si përfundim, kjo thjesht i përkeqëson gjërat.

Autori Dale Carnegie dikur citoi buletinin e një departamenti të policisë që këshillonte, “Nëse egoistët përfitojnë nga ju, hiquani vizën, por mos u përpiqni të hakmerreni. Kur përpiqeni të hakmerreni, ju lëndoni më shumë veten sesa personin tjetër.”

Incidenti me armë disa vite më parë, në komunitetin amish në Pensilvani është një shembull i goditur faljeje. Një njeri i trazuar, një njeri i huaj për komunitetin, u fut në një shkollë amishe dhe rrëmbeu dhjetë vajza, pesë nga të cilat në fund i vrau dhe më pas, mori jetën e tij. S’mundem as ta imagjinoj ç’duhet të kenë kaluar familjet e tyre, por prapë ata e falën vrasësin, i shtrinë dorën gruas dhe fëmijëve të tij. Madje, krijuan një fond për t’i ndihmuar ata.

Sigurisht që mënyrat në të cilat unë ndihem i keqtrajtuar janë minimale krahas humbjes që përjetuan prindërit amishë dhe përsëri, ata arritën të falnin. Kuptova se trishtimi im buronte kryesisht nga fakti se unë nuk i kisha falur të tjerët për atë që kishin bërë. Si përfundim, këto incidente vazhdonin të luheshin në mendjen time, duke më shkaktuar shumë ankth.

Gjykimi është privilegji i Zotit. 1 Privilegji ynë është falja. Ajo shëron zemrat tona dhe e lejon Zotin ta zhvillojë situatën si e sheh Ai të përshtatshme. Falja nuk e shfajëson keqbërësin, por heq një barrë të rëndë nga zemrat tona. Ky është një mësim që shpresoj ta zbatojmë në praktikë.

  1. Shih Hebrenjve 12:23.