Parneri im i larjes së enëve

Disa nga momentet e mia më domethënëse me Zotin kanë qenë me duart në ujin e enëve. Për shumë vite, kam pasur zakonin t’i filloj mëngjeset e mia më lexim përkushtues dhe lutje. Por në mënyrë të pashmangshme, koha kalon dhe më duhet të çohem dhe ta nis ditën para se të ndihem sikur nuk kam fuqi për t’u ngritur. Duke parafrazuar këngën e vjetër të ungjillit, “Do të qëndroja në kopsht me Të, por dita rreth meje po fillon.”1

Kështu që, unë i them Zotit, Mund ta mbarojmë më vonë këtë, dhe çoj pjatat e palara të mëngjesit në kuzhinë. Nuk e shijoj fare larjen e enëve, kështu që, ndonjëherë, vendos në sfond ndonjë muzikë frymëzuese ose ndonjë emision teksa punoj, por shpesh punoj në heshtje dhe thjesht e lë mendjen të burojë mendimet. Mendoj mbi ngjarje dhe vras mendjen si dhe pse po ndodhin gjëra të caktuara. Mendoj për vajzën time, familjen e saj dhe njerëz të tjerë të dashur, dhe shumë shpejt, mendimet e mia kthehen në lutje të thjeshta.

Ndonjëherë, më vjen ndonjë mendim i ri në mendje, diçka që nuk e kam kuptuar kurrë më parë. Ndoshta, më lind mendimi mbi ndonjë mënyrë e re e të parit të situatave apo ndopak inkurajim, një ide, zgjidhje për një problem që po përballem. Ndonjëherë, nuk është as mendim, por një paqe në zemrën time, një ndjenjë besimi dhe mirënjohjeje.

Kur kjo ndodh, e shoh qartë që nuk është diçka që e kam ngjallur vetë; besoj se frymëzimi vjen nga zëri i heshtur i Zotit brenda shpirtit tim. Siç thoshte Billy Graham, “Mund të them se Zoti është gjallë, sepse fola me të këtë mëngjes.”

  1. In the Garden,” nga Charles Miles, 1913