Ai ishte dikur goxha i gjatë dhe përcillte një ndjesi besimi dhe autoriteti kudo që shkonte. Kur ishte i ri, ai i kushtonte çdo moment të lirë, përfshirë këtu pushimet e tij, kabinetit rinor të krishterë. Ai ishte konvertuar vetë në fillimet e të njëzetave dhe ishte shumë i zellshëm në besimet dhe praktikat e tij. Ai organizonte kampe verore në male për grupe të rinjsh të cilët sapo kishin kaluar vitet e vështira pas Luftës së Dytë Botërore dhe kishin nevojë për një figurë atërore apo të një vëllai më të madh.

Më pas erdhën vitet sfiduese, kur fëmijët e tyre po rriteshin dhe ishin kthyer në adolishentë disi idealistë por goxha rebelë, të vendosur të ndryshonin gjendjen ekzistuese dhe siç dukej duke hedhur poshtë të gjitha mësimet e tij. Duke mos ditur si të reagojë, ai u mbyll në vetvete, veçanërisht me vajzën e tij të madhe, e cila u largua nga shtëpia shumë e vogël dhe bëri zgjedhje, të cilat ai nuk mund t’i kuptonte. Zemra e tij ishte thyer, por ai e mbante gjithçka përbrenda.

Ai vendosi se nuk përballej dot më me të, dhe kështu pesë vite të gjata dhe të dhimbshme kaluan. Ndërkohë, ajo u martua dhe filloi të kishte fëmijët e saj. Një ditë, ai më në fund gjeti kurajën ta vizitonte atë dhe të takonte dhëndrin e tij dhe dy nipërit për herë të parë. Ishte një vizitë shumë e shkurtër, por hapi i parë ishte ndërmarrë, dhe hapat e tjerë ishin më të thjeshtë.

Ribashkimet familjare së shpejti rifilluan, si pranvera mbas një dimri të gjatë dhe të ftohtë. Askush nuk donte të fliste për të shkuarën, dhe gabimet nga të gjitha palët u falën. Nuk është se të gjithë u panë në sy, por një ndjesi e re admirimi dhe dashurie të pakufizuar po lindte, dhe njëkohësisht me të, ndjeshmëria dhe mençuria.

E di këtë sepse jam unë vajza e madhe. Kur fola me nënën time dhe me të afërmit e tjerët, ata thanë se e kishin parë të kalonte një transformim të mrekullueshëm nga një besimtar i përkushtuar por shpesh i papajtueshëm në një besimtar të përkushtuar por më të mëshirshëm dhe të dashur.

Kur fëmijët e mi u rritën dhe u bënë adolishentë e të rritur të hershëm, gjeni se kush më inkurajoi më shumë se një herë t’i qendroja pranë dhe t’i tregoja simpati dhe mirëkuptim? Babai im. Në të njëjtën kohë, unë tani e di nga ai vetë se çfarë pune të vështirë kishte pasur dhe ndihesha më mirëkuptuese ndaj tij.

Tani ai është pothuajse 90 vjeç, shpina e tij po kërruset dhe ai nuk ecën aq shpejt sa më parë, por ai ende lexon, shkruan, lutet çdo ditë, dhe ndihmon njerëzit në nevojë. Ai tregon dashuri dhe i mirëpret të gjithë në shtëpinë e tij. Ai preket shumë kur sheh një perëndim dielli. Ai ka pesë fëmijë, 14 nipër e mbesa dhe nëntë stër-nipër e stër-mbesa.

Ai na ka kaluar një trashëgimi të mrekullueshme dhe ne me shaka e quajmë atë “patriarku”. Por mendoj se shembulli më i mirë që më ka dhënë ishte në ditën kur më tha, “Të lutem, më fal.”