Çfarë ju vjen në mend kur mendoni për Krishtlindjet? Ndoshta dhurata, pemë jeshile, drita, ushqim i mirë, lindja e Fëmijës Jezus, ardhja e vitit të ri, fundi i vitit të shkuar, dhe ndoshta për shumë njerëz, një Këngë Krishtlindjesh.

Përralla e njohur e Koprracit të pasjellshëm është ritreguar shpesh për vite me rradhë që nga publikimi i saj i parë nga Charles Dickens në 1843. 1 Për shumë njerëz, përralla është bërë simbol i Krishtlindjeve; tashmë ne e njohim mizorinë, koprracinë dhe lakminë e personazhit kryesor, Ebenezeri Koprraci. Por sa shpesh i zbatojmë në jetë mësimet e nxjerra prej saj?

Fabula nis me një koprrac të mjerë i cili gjatë rrugës pëson ndryshime të mëdha për mirë. Para se të transformohej, ai ishte e kundërta e çdo gjëje të mirë që lidhet me Krishtlindjet – si dashuria, bamirësia, dashamirësia, bujaria, ndjeshmëria, përkujdesja për njerëzit përreth. Ndonëse Koprraci mund të përfaqësojë tipare të skajshme koprracërie, ai është ndoshta edhe një metaforë e koprracërisë që jeton brenda secilit prej nesh.

Ka pak egoizëm brenda te të gjithë ne, apo jo? Objektiva që nuk janë realizuar, synime të mëdha të lëna në harresë? A kalojmë pranë njerëzve pa thënë asnjë fjalë apo pa hedhur një shikim të ngrohtë kur i kemi afër, duke qenë shumë të zënë me veten dhe pa i vënë re?

Nuk kemi pse presim të bëhemi tejmase egoist si Koprraci para se të vendosim të ndryshojmë. A nuk do të ishte fantastike nëse çdo Krishtlindje i hedhim një vështrim të sinqertë jetës sonë, gjërave të së shkuarës, atyre që jemi duke bërë në të tashmen, dhe synimeve tona për të ardhmen, dhe të shikojmë se çfarë është më e rëndësishme për ne?

Në aktin final të dashurisë dhe zemërgjerësisë, Zoti na dha Jezusin mbi tokë, në mënyrë që Ai të na mësonte dashurinë e Tij, dhe pastaj të vdiste për ne për të marrë në këmbim shpëtimin tonë të përjetshëm. Për Krishtlindje ne festojmë dhënien e kësaj dhurate të mrekullueshme. Ne nuk ia kthejmë dot kurrë atë që ka bërë Ai për ne, por Jezusi thotë se “çfarëdo që bëni për njërin prej vëllezërve apo motrave të mia, e keni bërë për Mua.” 2 Çdo fjalë e ngrohtë dhe çdo veprim i mirë i bërë me dashuri, jo se e shohim të arsyeshme apo me interes për ne, por e bërë për të ndihmuar dikë tjetër – do të na ndihmojë ne në fund, madje, atëherë kur nuk e prisnim.

Duke marrë Jezusin si shembull, shpresojmë të pasqyrojmë disa nga ato cilësi, që do të na bëjnë të lumtur dhe do të na bëjnë bekim nga Zoti për njerëzit rreth nesh dhe një njeri më të mirë në përgjithësi.

Le ta vendosim këtësi objektiv – dhe jo vetëm për Krishtlindje – të kthehemi pak mbrapa dhe të rishikojmë jetët dhe vlerat tona dhe të dallojmë se cila ka qenë forca që na ka udhëhequr në të gjitha veprimet tona. Le të shijojmë çdo moment kur e kemi, dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi për të ndihmuar një tjetër qënie njerëzore, sepse në fund të fundit, është ajo që do të ketë rëndësi.

Natalie (1991–2011) kaloi një pjesë të mirë të jetës së saj të shkurtër në Afrikë ku prindërit e saj drejtojnë projekte të ndryshme humanitare, dhe ajo ndihmonte të tjerët që në moshë të vogël. Ky artikull, i shkruar në 2006-ën, na u dërgua nga prindërit e saj, Gino dhe Clotilde, të cilët vazhdojnë të punojnë ne Republikën Demokratike të Kongos. Mund të mësoni më tepër rreth punës së tyre në www.familycare.org/network/espoir-congo.

Gjithmonë e kam parë si një periudhë të këndshme kohën kur afrojnë Krishtlindjet; një periudhë e mirë kur mund të falësh, të bësh bamirësi dhe të kënaqesh; e vetmja periudhë që unë di nga kalendari i gjatë i vitit, kur burra dhe gra hapin lirshëm zemrat e tyre të mbyllura dhe i shohin njerëzit më poshtë tyre si të ishin vërtetë njerëz si ata, që një ditë të gjithë do të përfundonin në varr, dhe jo si një racë tjetër me krijesa, thjesht pjesë e rrugëtimit të tyre. – Fredi, Nipi i Koprracit, tek “Një Këngë Krishtlindjesh”, nga Charles Dickens

  1. Shih http://charlesdickenspage.com/carol.html.
  2. Mateu 25:40