Një identitet i ri

Një nga filmat e mi të preferuar është klasiku i vitit 1967 Guess Who’s Coming to Dinner (Gjeje Kush Po Vjen Për Darkë). Filmi doli në një periudhë shumë të ndjeshme në historinë amerikane, kur marrëdhëniet racore ishin shumë të paqëndrueshme. U bë një hit i madh dhe veproi si një agjent i madh për ndryshime shoqërore.

Tregon historinë e një gruaje të re të bardhë, Xhoana Drejton (Katharine Houghton), e cila sjell të fejuarin e saj zezak Xhon Prentis (Sidney Poitier) në shtëpi për t’ia prezantuar prindërve të saj. Megjithëse prindërit e saj ndihen krenarë që janë liberalë dhe progresivë në pikëpamjen e tyre, bota e tyre tronditet kur vlerat që ata predikonin u vunë në provë. Ndërkohë, Xhoni gjithashtu duhet të përballet me kundërshtimet e babait të tij, i cili nuk dëshiron që djali i tij të martohet me një vajzë të bardhë.

Megjithëse martesat ndër racore kundërshtoheshin fort, madje ishin të paligjshme në shumë pjesë të Amerikës në atë kohë, dashuria e Xhoanës për të fejuarin e saj duket se tejkalon çdo dallim në pamjen e jashtme dhe paragjykimet e asaj kohe. Ky është një ilustrim i mrekullueshëm i mënyrës në të cilën Zoti shikon përtej paraqitjes, kombësisë, racës, klasës dhe gjinisë dhe si i pranon Ai njerëzit ngado, të cilët i hapin Atij zemrën.1 Kur besojmë te Jezusi, Ai kalon çdo pengesë ndarjeje dhe na bën një.2 Lidhja shpirtërore mes besimtarëve tejkalon çdo dallim kombëtar apo etnik, pasi bëhemi qytetarë të një vendi të ri, mbretërisë së Zotit,3 vlerat dhe rregullat e të cilës janë krejtësisht ndryshe nga ato të botës aktuale.

Përmes sakrificës së Tij në kryq, Jezusi shlyen njerëzit nga çdo sfond shoqëror.4 Teksa Ai ishte në tokë, Ai zgjodhi njerëzit nga prejardhje të ndryshme dhe ndonjëherë të diskutueshme për të qenë dishepujt e Tij. Sot, Ai vazhdon t’i mirëpresë njerëzit nga çdo vend dhe origjinë etnike.

Mbretëria e Zotit është vendi më i mirë ku mund të përkasësh. Nuk është një vend fizik, por që jeton në zemrat e besimtarëve që janë të lidhur në një komunitet besimi. Është një vend që nuk i ka persekutuar kurrë të varfrit ose shtypur të dobëtit apo ka bërë një luftë për arsye të gabuara. Është një privilegj i madh të jesh një qytetar i mbretërisë së Zotit.

  1. Shih Veprat 10:34–35.
  2. Shih Galatasve 3:28; Efesianëve 2:14.
  3. Shih Filipianëve 3:20.
  4. Shih Zbulesa 5:9–10.