Dita e sotme ishte e përkryer! Nuk ishte e përkryer sepse ishte pa impenjime apo e përkryer për shkak të arritjeve apo pa probleme. Ishte thjesht e përkyer nga fillimi deri në fund saqë dua t’i rikthehem sërish e të kuptoj se çfarë e bëri të atillë. Ndoshta mund ta përsëris.

U zgjova herët dhe ditën e re e përshëndeta me një ecje prej dy kilometrash, duke falenderuar Zotin për njerëzit e mi të dashur e duke u lutur për ta. Më pas, lexova disa materiale shpirtërore, duke medituar rreth asaj që lexoja dhe duke u lutur që të më ndryshonte. Dëgjova pak muzikë Kristiane dhe tekstet e tyre më mbushën shpirtin. Më vonë kalova disa momente duke parë një prizëm që varej në dritare, i cili kapte rrezet e diellit dhe sillte ngjyrat e ylberit në dhomë.

Pas mëngjesit, planifikova vitin e ardhshëm shkollor dhe porosita materialet e shkollës për nxënësit e mi, pastaj dhashë mësim për klasën e parë, të shtatë dhe të nëntë. Ishte një paradite e ngjeshur me aktivitete, por çuditërisht pa tension. Koha që kisha kaluar me Jezusin sigurisht që ia vlejti.

Ndërsa prisja perimet për drake po ndihesha e lodhur, por nisa të falenderoj Zotin për bollëkun e ushqimit të shëndetshëm. Duart i kisha të zëna, por zemrën dhe mendjen i kisha larg, e ulur pranë këmbëve të Jezusit duke shijuar kungimin me Të. Kjo ishte shtysa që më duhej.

Dëgjova pak piano ndërsa çoja një porosi me makinë. Mbajta ritmin me trafikun, por nuk e kisha tensionin e zakonshëm mbi shpatulla. Një burrë i moshuar me makinë para meje, mori një kthesë të ngadaltë gjë që i nervozoi disa shoferë të tjerë, por unë fillova të lutem për të dhe u mahnita kur e pashë që ishte ende në gjëndje t’ia dilte.

U ktheva në shtëpi, mes e-maileve, telefonatave dhe vizitës se një fqinji. Gatova, pastrova dhe kalova pak kohë me djalin tim adoleshent. Ndonjëherë shqetësohem për të, por kur u ulëm dhe ai shprehu opinionet e tij, shqetësimet dhe ëndrrat, Jezusi më ndihmoi të shoh një ëmbëlsi dhe një thellësi mendimesh që ndonjëherë nuk i jap shumë rëndësi.

Në mbrëmje së bashku me bashkëshortin dolëm për një shëtitje. Ndërsa shtrëngonim duart dhe shihnim perëndimin e diellit që ngjyroste retë ngjyrë rozë, numëronim të mirat që kishim.

E di që s’mund të pres që çdo ditë të jetë e përkryer, por di se si t’i shtoj shanset për ta patur. Do të gjej kohë të lidhem me Jezusin dhe të përtërij atë marrëdhënie gjatë gjithë ditës duke ia lënë mendimet e mia Atij dhe mirësisë së Tij.