Dukej si një vendbanim i vogël, rreshta ndërtesash të bashkërenduara nga njëra anë dhe kopshte të rregullta me perime në anën tjetër. Në distancë ishte një fushë basketbolli. Akoma më tutje, një tregtar shiste fruta.

Eca në rrugën e pisët pas babait tim, i cili po bisedonte me disa burra ndërkohë që ecte. Turma të vogla mblidheshin, teksa ne kalonim. Ata na shikonin dhe përshpërisnin. Nuk e di se çfarë po thonin, por unë eca, duke u përpjekur të mos shfaqja asnjë shenjë frike.

A kisha frikë? Sigurisht që po! Isha 15 vjeç, këta nuk ishin njerëz të zakonshëm, dhe ky nuk ishte një fshat i zakonshëm. Ky ishte burgu kombëtar i vendit, ku meshkujt syrgjynoseshin dhe harroheshin.

Unë dhe babai im ecëm derisa arritëm në një faltore të vogël. Disa burra ishin mbledhur tashmë, duke pritur nëpër stola për ndonjë lloj argëtimi. Ishte vapë, dhe do të doja të isha në shtëpi, duke pirë lëng portokalli dhe duke parë televizor në vend që të përpiqesha t’i arratisesha tensionit të momentit.

Dëgjoja babain tim kur fliste me të burgosurit. Si një ish-marinar dhe tani një këshilltar udhëtimesh, babai im bisedonte lehtësisht me çdo njeri që nga politikanët deri tek të varurit ndaj drogës dhe ai na mësoi neve fëmijëve të bënim të njëjtën gjë. Por unë nuk arrija të kuptoja pasionin që e shtynte atë të bënte çdo javë këto vizita në burg.

Mamaja dhe babai im prekeshin shumë nga vështirësitë e të tjerëve. Familja jonë mund të përballonte vetëm nevojat bazë dhe disa lukse të vogla, por kur shihnin nevojat në jetët e të tjerëve, ata përpiqeshin gjithmonë t’i ndihmonin. Babi foli për ndërtimin e një shkolle të diele për fëmijët e të burgosurve. Ai tha se do të përpiqej të organizonte ture sportive dhe punishte. Çfarëdo që bënte, ai përpiqej ta bënte akoma më mirë. Kudo që punonte, ai mund të punonte më shumë dhe kështu veproi.

Babi u kthye dhe ma bëri me shenjë drejt fasadës. “Eja më ndihmo të këndoj,” tha ai.

Qëndrova përkrah tij, përballë turmës me të burgosur. Ata rrinin të heshtur, në pritje. Ai nxori kitarën e tij me tela najloni, vendosi rripin në shpinë, dhe shfletoi librin e himneve fetare derisa i doli kënga që ai kishte ndërmend. Ai nuk ishte ndonjë muzikant veçanërisht i talentuar, por kjo nuk kishte rëndësi. Babi vendoste shpirtin në gjithçka që bënte, dhe kur ishe afër tij, e ndieje atë. Disa vargje thyen heshtjen. Ai nisi të këndonte:

O Zot, Perëndia im! Kur unë me një habi mbresëlënëse
Marr në konsideratë gjithçka që duart e Tua kanë krijuar.
Shoh yjet, dëgjoj bubullimat përsëritëse
Fuqia Jote e shfaqur anë e mbanë universit. …

Sytë e tij po më dërgonin sinjal. Kur iu bashkova unë korit, iu bashkuan edhe disa burra të tjerë. Ata mbyllën sytë e tyre, sikur po imagjinonin një Zot të dashur dhe të mrekullueshëm, një Zot që udhëheqte gjithë universin, dhe që ende donte të ishte në zemrën e çdo njeriu.

Më pas këndon shpirti im, Zoti im Shpëtimtar, për Ty;
Sa mbresëlënës arti Yt, sa mbresëlënës arti Yt!           

Dhe më pas babai im lexoi nga Bibla rreth Zotit dhe dashurisë së tij, një dashuri me një fuqi mjaftueshëm të madhe të falte çfarëdo lloj mëkati dhe të donte çfarëdo lloj mëkatari.

Atë ditë unë e kuptova pak më shumë babain tim. Unë pashë se ai ndihej i detyruar të ecte mes të syrgjynosurve siç e kishte bërë edhe Krishti dy mijë vite para tij. Nuk përbënte ndryshim fakti që e shkuara e tyre ishte e dënueshme dhe e ardhmja e tyre e vetmuar. Kur ai shihte secilin prej tyre, ai shikonte një qenie njerëzore, një krijim unik dhe të dashur të Zotit, dhe ai donte ta kthente botën e tyre aktuale në një vend më të mirë.

Vitet kaluan. Shumë nga ëndrrat e babait tim si përfundim, u kthyen në realitet. Kampionatet e sporteve u organizuan; aktivitetet e shkollës së të dielës drejtoheshin nga vetë të burgosurit. Si rrjedhim, përpjekjet e babit rritën ndërgjegjësimin mbi vështirësitë e të burgosurve, filluan sponsorizimet për të investuar nismat e reja. Përpjekjet e babit në dukje të parëndësishme krijuan një efekt në formë vale që arriti në mijëra zemra. Babait tim i ishte dhënë leje të hynte në godinat e çdo burgu në vend, dhe ai udhëtonte shpesh nëpër ato qoshe të errëta, duke vazhduar misionin e tij të shpresës. Nëse ndonjëherë do të burgosej për besimin e tij, babai ndonjëherë bënte shaka duke thënë, se do të ndihej fiks si në shtëpi.

Duke menduar për jetët që kishin ndryshuar për mirë si rrjedhojë e punës së prindërve të mi, që vazhduan misionin e tyre të ndihmonin të tjerët kudo që ata ecnin, në rrugën e drejtë apo në të gabuarën, më kujton dikë tjetër që ecte mes njerëzve, Një me misionin të sillte dashurinë e Zotit në botë shumë kohë më parë.

Jezusi tha, “Ejani, o të bekuarit e Atit tim, trashëgojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga krijimi i botës, sepse pata uri e më dhatë për të ngrënë, pata etje e më dhatë për të pirë, isha i huaj e më pritët, isha i zhveshur e më veshët, isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni, isha në burg dhe erdhët tek unë.” … “Me të vërtetë po ju them se sa herë që e keni bërë këtë gjë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua.” 1

  1. Mateu 25:34–36,40